Lidhje

SHBA dhe Britania të bashkuar në luftën kundër terrorit - 2003-11-20


Presidenti Bush dhe kryeministri britanik, Blair, i dënuan shpërthimet në Turqi dhe deklaruan se do të qendrojnë të bashkuar në luftën kundër terrorit.

Ata reaguan ndaj shpërthimeve duke theksuar unitetin dhe vendosmërinë.

Kryeministri Tony Blair i quajti shpërthimet kundër objekteve britanike në Stamboll një akt skandaloz terrori.

"Ne duhet të ritheksojmë edhe një herë se përballë terrorizmit nuk duhet të ketë tërheqje, as kompromis, as ngurrim për të përballuar këtë kërcënim, për ta goditur atë kudo dhe kurdo që të mundemi dhe për ta mposhtur përfundimisht", tha zoti Blair.

Ndërsa Presidenti Bush theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Britania janë të bashkuara në hidhërimin dhe në vendosmërinë e tyre. Ai tha se në Stamboll, doli edhe një herë në pah natyra e vërtetë e armikut terrorist.

"Ne shikojmë përbuzjen e tyre, përbuzjen e tyre ekstreme për jetën e pafajshme. Ata e urrejnë lirinë. Ata i urrejnë vendet e lira. Sot ne pamë edhe një herë ambicjet e tyre për vrasje", tha Presidenti Bush.

Ai tha se qëllimi i terroristëve është të frikësojnë vendet e lira, por theksoi presidenti, ata nuk do t’ja dalin mbanë sepse Amerika dhe Britania janë të bashkuara në një luftë të përbashkët.

"Puna jonë e përbashkët për demokracinë në Afganistan dhe në Irak është me rëndësi jetike për të mposhtur terrorizmin global. Në këndvështrimin afatgjatë, përhapja e lirisë dhe shpresa që sjell ajo është rruga më e sigurt për të luftuar dëshpërimin, zemërimin dhe urrejtjen që ushqejnë terrorin", tha Presidenti Bush.

Ai tha gjithashtu se sot ishte takuar me familjet e 7 ushtarëve britanikë të vrarë në Irak. Presidenti Bush vuri në dukje se ata ishin vrarë për çështjen e lirisë njerëzore dhe e cilësoi misionin në Irak si fisnik dhe të domosdoshëm. Ai theksoi se megjithëse kalendari i veprimeve për vendosjen e vetqeverisjes në Irak është përshpejtuar, kohën se kur do të tërhiqen trupat do ta vendosë gjendja e atjeshme e sigurisë.

Kryeministri Blair tha se ishte dakord me këtë pikpamje dhe se trupat do të qendrojnë në Irak deri sa puna të jetë çuar deri në fund.

Gjatë konferencës së shtypit, si Presidenti Bush edhe kryeministri Blair reflektuan lidhur me dhjetra mijra protestuesit e mbledhur në Londër për të demonstruar kundër luftës. I pyetur nga një gazetar se përse kaq shumë protestues e urrejnë atë, Presidenti Bush tha se nuk mendonte kështu. E kuptoj plotësisht, tha Presidenti, se njerëzit nuk janë dakord me luftën. Por shpresoj se ata janë dakord me paqen dhe me lirinë.

//rd//

XS
SM
MD
LG