Lidhje

Sell: standartet dhe statusi i Kosovës mund të realizohen paralelisht - 2003-11-21


Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Louis D. Sell, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit të Universitetit Amerikan në Kosovë, tha se Universiteti Amerikan ka qenë i sukseshëm në Kosovë dhe ai pritet të zgjerohet vitin e ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Zoti Sell, ky është viti i parë i Universitetit Amerikan të Kosovës. Deri tani si ka shkuar puna në këtë Universitet?

Louis D. Sell: Laura, faleminderit shumë, unë jam shumë i kënaqur që jam i ftuar në Zërin e Amerikës. Universiteti Amerikan i Kosovës i hapi dyert këtë vit. Jam tepër i kënaqur me përparimin që është arritur deri tani: kemi mbi 60 studentë, që kanë filluar vitin e parë në degën e ekonomikut dhe biznesit. Ky është vetëm hapi i parë, ne kemi besimin se do ta zgjerojmë më tej këtë projekt, si edhe numrin e studentëve dhe do ta fillojmë rekrutimin e studentëve për vitin tonë të dytë shkollor, duke filluar që këtë vit. Gjithashtu, kemi ndërmed të pranojmë një numër të vogël studentësh në mes të vitit, kështuqë unë i nxis studentët të ndjekin studimet në një Universitet Amerikan cilësor në Kosovë dhe të shqyrtojnë mundësinë e vazhdimit të studimeve atje për vitin e ardhshëm. Si fillim, Universiteti ndodhet në Kodrën e Diellit në Prishtinë. Ne kemi një bashkëpunim mjaft të mirë me qeverinë e Kosovës, dhe pas zgjerimit të Universiteti, do të vendosemi në kompleksin që do të ngrihet në lagjen Hajvalija të Prishtinës. Shpresojmë që pas një viti, apo 18 muajsh, numri i studentëve të arrijë deri në 1 mijë vetë. Por ky proces do të zhvillohet hap pas hapi.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit, Washingtoni përcaktoi vitin 2005 për fillimin e bisedimeve mbi statusin përfundimtar të Kosovës, por këto bisedime do të varen nga përmbushja e 8 standarteve të caktuara nga Komuniteti Ndërkombëtar. Sa pranë përmbushjes së standarteve brenda këtij afati është Kosova?

Louis D. Sell: Mendoj se nuk ka asgjë të gabuar me standartet, të teta ato janë shumë të mira. Kosova duhet të realizojë disa gjëra për të ardhmen e zhvillimit demokratik të vendit dhe në disa raste, ata po e bëjnë një gjë të tillë. Në anën tjetër, unë personalisht nuk shoh nevojën për t’i lidhur ato me njëra tjetrën, pra puna për realizimin e këtyre standarteve, duhet të vazhdojë paralelisht me përgatitjet për statusin përfundimtar të Kosovës. Jam i mendimit se kryesor është problemi i aftësive vetë-qeverisëse, nuk ka nevojë të pritet për këtë, pushteti i plotë qeverisës duhet t’i tranferohet popullit të Kosovës gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm dhe sa më shpejt që të realizohet kjo, akoma më mirë është.

Zëri i Amerikës: Ditët e fundit u zhvilluan zgjedhjet në Serbi, ato ishin një dështim, për shkak të mospjesëmarrjes së duhur të serbëve. Sa mendoni se do të influencojë kjo në vazhdimin e bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit?

Louis D. Sell: Është e qartë se rezultati i pafat i zgjedhjeve në Serbi, nuk mund të ketë një ndikim të mirë tek nocioni i dialogut për çështjet teknike midis Prishtinës dhe Beogradit. Është mjaft e qartë se kjo do të ndikojë në vonesën e bisedimeve. Por kjo flet edhe për nevojën e zgjidhjes së çështjeve teknike sa më shpejt. Gjithashtu është nevojshme të zgjidhet shpejt çështja e statusit të Kosovës. Kosova ka helmuar, do të thoja politikën e Serbisë për një kohë të gjatë. Unë kam jetuar për 4 vjet në Serbi, nga vitit 1987 deri në vitin 1991 dhe pashë me sytë e mi ndikimin shkatërrimtar të politikës së Millosheviçit ndaj Kosovës dhe jo vetëm në Kosovë, por edhe në vetë Serbinë dhe kjo po vazhdon. Ka ardhur koha që të zgjidhet çështja e statusit të ardhshëm të Kosovës, jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë Serbinë.

Zëri i Amerikës Procesi i privatizimit në Kosovë filloi që gjatë administratës së mëparshme, por tani ky proces është bllokuar... Sipas mendimit tuaj, çfarë po e pengon mbarëvajtjen e këtij procesi?

Louis D. Sell: Mendoj se procesi i privatizimit është në mënyrë absolute i nevojshëm për të ecur përpara, ky proces filloi shumë vonë nga komuniteti ndërkombëtar dhe është fatkeqësi që ai është bllokuar. Edhe një herë, kjo tregon se çdo problem që ka Kosova tani për tani, po të gërmosh pak, e kupton se ka të bëjë me statusin përfundimtar. Me sa kuptoj unë, një arsye që është bllokuar procesi i privatizimit, është roli i Beogradit, roli i disa ligjeve që nga fillimi i viteve ’90, nga regjimi pushtues i serbëve. Ato janë tepër të vjetëruara dhe nuk ka pse të merren parasysh në tryezën e bisedimeve. Privatizimi duhet të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur, por ai nuk përbën zgjidhjen e plotë të problemeve ekonomike të Kosovës. Privatizimi duhet të bëhet për të krijuar kushtet për fillimin e zhvillimit ekonomik në Kosovë.

XS
SM
MD
LG