Lidhje

Presidenti Bush përfundon vizitën në Britani - 2003-11-21


Presidenti Bush dhe Kryeministri britanik, Toni Blair, u zotuan përsëri se do ta mposhtin terrorizmin global. Presidenti amerikan i dha fund sot vizitës shtetërore triditëshe në Britani. Para se të nisej për në atdhe, Presidenti Bush u tha studentëve të një shkolle në qytetin e lindjes së zotit Blair, Sedgefield, në pjesën verilindore të Anglisë, se Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë një punë për të bërë, të mposhtin terrorizmin global.

Kryeministri Blair theksoi forcimin e vazhdueshëm të aleancës amerikano britanike. Ai vuri në dukje se këto dy vende nuk do të frikësohen nga kërcënimet e sulmeve terroriste dhe theksoi se e vetmja përgjigje ndaj kërcënimit kundër lirisë është lufta. Kjo ndalesë u dha të dy udhëheqësve rastin të shqyrtonin çështje botërore, si terrorizmin dhe luftën në Irak, në një mjedis më pak zyrtar, pas dy ditë bisedimesh zyrtare dhe ceremonive shtetërore në Londër.

Qindra demonstrues kundër luftës u mblodhën sot në Sedgefild, pas protestave të djeshme në Londër në të cilat morën pjesë dhjetëra mijëra demonstrues. Dje, pas bisedimeve zyrtare në Londër, të dy udhëheqësit dënuan edhe shpërthimet terroriste kundër objekteve britanike në Stamboll. Presidenti Bush dhe kryeministri britanik diskutuan edhe rreth taksave doganore amerikane ndaj prodhimeve të çelikut dhe fatit të 9 qytetarëve britanikë të dyshuar si terroristë, të cilët mbahen në një burg në bazen detare amerikane në Gjirin Guatanamo që nga lufta në Afganistan, por nuk arritën ndonjë marrëveshje. //RD//

XS
SM
MD
LG