Lidhje

Kroaci: nesër mbahen zgjedhjet parlamentare - 2003-11-22


Anketat e opinionit publik në Kroaci tregojnë se Bashkimi Demokratik Kroat, ose HDZ, një parti nacionaliste dhe Partia Social-Demokrate në pushtet gëzojnë të njëjtin nivel mbështetjeje para zgjedhjeve të nesërme parlamentare.

Sondazhet e sotme në Zagreb, flasin për përqindje të barabarta mes partive të HDZ-së që dikur udhëhiqej nga Presidenti i ndjerë Franjo Tudjman dhe koalicionit të moderuar qeveritar nën udhëheqjen e Kryeministrit Social-Demokrat Ivica Racan.

Meqenëse asnjëra palë nuk pritet të fitojë një shumicë dërrmuese në parlamentin me 140 vende, analistët parashikojnë një periudhë përplasjesh politike për të vendosur se kush do ta udhëheqë ish-republikën jugosllave drejt Bashkimit Evropian. Kroacia mund të anëtarësohet në këtë organizatë në vitin 2007.

Popullariteti i qeverisë së koalicionit të Kryeministrit Racan, që përbëhet nga të moderuar pro-perëndimorë ka rënë që nga koha kur mori pushtetin para tre vjetësh, pasi nuk arriti të realizojë reforma dhe të hapë vende të reja pune.

Forcimi i pozitave të HDZ-së është lidhur me pakënaqësinë e votuesve mbi akuzat për korrupsion qeveritar dhe nivelin e lartë të papunësisë. Por zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë lënë të kuptohet se një fitore e HDZ-së mund të shkaktojë vonesën e anëtarësimit të Kroacisë në këtë organizatë, për shkak të rolit të kësaj partie në konfliktet e Ballkanit.

//ze//

XS
SM
MD
LG