Lidhje

Çdo ditë, mijëra fëmijë në gjithë globin infektohen nga virusi HIV - 2003-11-23


Për shkak të shqetësimeve në rritje se si përhapet virusi, eksperti i shëndetsisë nga Denveri, Myles Mendoza, thotë se fëmijët e infektuar me HIV janë të izoluar.

“Ata përballen me diskriminime në shkollë. Atyre u duhet të fshihen dhe kjo ndikon drejtëpërdrejtë tek gjendja e tyre shëndetësore, duke mos qenë në gjendje të marrin ilaçe në publik. Ata nuk i pinë të gjitha dozat e ilaçeve sepse nuk duan që dikush ta dijë se janë të infektuar me HIV.”

Zoti Mendoza punon në spitalin e fëmijëve në Denver dhe është i specializuar për të ndihmuar 1 mijë e 200 fëmijët e shtetit Kolorado të infektuar me HIV. Programet qeveritare paguajnë për shumicën e ilaçeve, që i ndihmojnë fëmijët të jenë të shëndetshëm. Por këta të rinj përballen me një përjashtim nga shoqëria, me tensione emocionale, edhe kur ata përpiqen të fshehin gjendjen e tyre.

Për të ndihmuar komunitetet që të pranojnë në gjirin e tyre fëmijët e prekur nga HIV-i, zoti Mendoza zhvillon seminare për të shpjeguar se si përhapet dhe nuk përhapet sëmundja. Meqë shumica e fëmijëve infektohet si pasojë e marrëdhënieve seksuale dhe injeksioneve, fëmijët në programin e tij kalojnë në shumë kurse për të mësuar si të jenë të përgjegjshëm dhe si të pakësojnë mundësitë që të infektojnë të tjerët. Zoti Mendoza e bën të qartë për të gjithë se puthja nuk rrezikon infektimin me HIV.

Njohja e publikut me masat parandaluese mund ta ndihmojë një komunitet të pranojë në gjirin e tij adoleshentë të infektuar me HIV, por me që fëmijë edhe më të vegjël infektohen nga ky virus, shumë prindër shqetësohen se duhet të ekzistojë një formë tjetër më e rrezikshme infeksioni. Si pasojë, zotit Mendoza i duhet të shpjegojë se pjesa më e madhe e foshnjave e marrin infeksionin nga nëna, para lindjes, gjatë lindjes ose nga qumështi i gjirit. Tani ekzistojnë mënyra për të parandaluar infeksionin e fëmijës nga nëna, thotë Jeff Sejfrit, i Fondacionit Elizabeth Glazer për fëmijët me Sidë. Ai thotë se masat e marra në Shtetet e Bashkuara kanë qënë shumë të efektshme.

“Rezultatet e kurimit të grave shtatzanë para se të lindin kanë pakësuar ndjeshëm numrin e infeksioneve në Amerikë dhe në vende evropiane nga 15 deri 30 përqind në se ato nuk kurohen në më pak se 2 përqind pasi ato kurrohen. Kjo metodë është një prej më të suksesshmeve në kurimin e virusit HIV në përgjithësi.”

Në Shtetet e Bashkuara vetëm 200 foshnje infektohen me HIV çdo vit madje ata mund të kurohen në mënyrë që të rriten të shëndetshëm. Më e rëndësishmja është se që prej kulmit të epidemisë në Shtetet e Bashkaura në fillim të viteve 1980-të, shkalla e infeksionit mes të gjitha moshave ka rënë me 75 përqind. Por kjo epidemi është më e rëndë në vendet e varfëra, ku infeksionet me HIV janë 35 herë më të larta se sa tek amerikanët që jetojnë me këtë virus. Shumë prej të infektuarve janë prindër, që i lënë fëmijët jetimë.

//ze//

XS
SM
MD
LG