Lidhje

Irak: shqetësimet për sigurinë vazhdojnë por njerëzit janë optimistë - 2003-11-24


Gjashtë muaj pas deklaratës së Presidentit Bush se operacionet në shkallë të gjerë në Irak kanë marrë fund, ekipe gazetarësh nga dy prej mjeteve amerikane më të mëdha të komunikimit shkuan në Irak për të krijuar një ide më të saktë se çmendojnë njerëzit për praninë e trupave amerikane në vendin e tyre. Grupet me gazetarë nga rrjeti televiziv ABC dhe revista Time, shkuan në 30 qytete të Irakut dhe folën me njerëz të ndryshëm për gjendjen sociale, politike dhe ekonomike në kushtet kur forcat e koalicionit kanë kontrollin në vend.

Në jug jeton një e treta e krejt popullsisë irakiane, rreth 8 milion njerëz. Shumica janë myslimanë shiitë.

Irakianët në jug thonë se përgjithësisht gjendja e atjeshme e sigurisë është më e keqe se sa përpara luftës.

Ata thonë se tani mallrat e konsumit i gjen më lehtë dhe se tregtia ka marrë hov.

Por papunësia mbetet shumë e lartë. Sipas qeverisë së përkohshme irakiane, niveli i papunësisë është rreth 70 përqind.

Furnizimi me energji është më i mirë ndërsa furnizimi me ujë është i njëjtë ose më i keq se sa para lufte.

Po kështu edhe shërbimi shëndetësor. Ndërsa gjendja e arsimit, thonë irakianët e jugut, është përmirëuar.

Përsa i përket efektivitetit të qeverisjes, tani për tani kjo është tepër e vështirë të vlerësohet, thonë gazetarët.

Një gjë ishte e lehtë të konstatohej: se në jug ka më pak tension dhe se sulmet kundër forcave të koalicionit janë të rrallë.

Meqenëse në jug banojnë kryesisht myslimanë shiitë, feja, bizneset dhe jeta private e të cilëve kontrollohej rreptë nga Saddam Husseini, ata janë të kënaqur që ai është përmbysur.

Ekonomikisht, shumë irakianë të jugut, tani fitojnë më shumë se sa para lufte, sidomos ata që paguhen nga forcat e koalicionit.

Iraku i veriut është shumë i ndryshëm nga jugu. Këtu përbërja etnike është më e larmishme dhe përgjithësisht irakianët thonë se jeta e tyre është përmirësuar.

Ashtu si në jug, edhe këtu gjendja e sigurisë është më keq se sa para lufte, por më e mirë se sa në pjesën më të madhe të vendit.

Papunësia është më e lartë, por irakianët u thanë gazetarëve se përgjithësisht gjërat po përmirësohen.

Për shembull, qyteti Kirkuk zjen nga jeta e gjallë pas rënies së muzgut. Këtu nuk ka ndalimqarkullim. Dyqanet janë të mbushur më tepër se kurrë më parë. Por njerëzit janë të shqetësuar për sigurinë.

Në shumë qytete të veriut përgjegjësitë e sigurisë gjithnjë e më shumë janë në dorë të vetë irakianëve. Në qytetin Tuz Kharmatu, trupat amerikane nuk patrullojnë më dhe punën e bëjnë 250 policë irakianë.

Gjithnjë e më shumë, irakianët po vetqeverisen.

Kirkuku ka një këshill të ri bashkiak. Një nga ndryshimet më të rëndësishme është fakti se një mbledhje e këshillit është tani e mundur dhe njerëzit nuk kanë frikë se dikush do të hakmerret ndaj tyre.

Në veri kudo shikon shenja se kjo është zonë naftëmbajtëse.

Megjithë sabotimet e shpeshta të tubacioneve, prodhimi i naftës në Kirkuk po i afrohet niveleve të paraluftës. Punëtorët thonë se prodhimi është mëse trefishuar.

”Jeta do të jetë më e mirë pas 5-6 vjetësh, ne do të bëhemi si vendet evropiane,” u tha gazetarëve një punëtor.

Përgjatë lumit Tigër është qyteti Mosul, ku biznesi lulëzon.

Në qendër të qytetit ndodhet njëri midis shumë projekteve të rindërtimit që financohet nga Shtetet e Bashkuara. Njerëzit po riparojnë tullë pas tulle gjykatën e qytetit, ndërkohë që brenda saj vazhdojnë gjyqet.

Në veri ndodhet edhe Tikriti, vendlindja e Saddam Husseinit. Tikriti është shumë armiqësor ndaj trupave të koalicionit.

Por në përgjithëse gazetarët vunë re se nostalgjia për regjimin e vjetër në veri ishte diçka e rrallë.

Më në fund, vijmë në qendrën e Irakut, Bagdadi dhe i ashtuquajturi trekëndësh sunit.

Këtu, gjendja e sigurisë është shumë më e keqe se sa përpara luftës. Më parë, në Bagdad ndodhnin 16 vdekje me dhunë çdo muaj, ndërsa tani ndodhin 667, pa përfshirë ushtarët amerikanë që vriten.

Në të gjitha aspektet e tjera, si arsimi, furnizimi me ujë, punësimi dhe shëndetësia, gjendja është më e keqe se sa pjesa tjetër e vendit.

Në perëndim të Bagdadit është Falluja, një qytet i begatë dhe miqësor, mjafton të mos jesh amerikan.

Këtu çdo ditë ka sulme kundër forcave amerikane. Ushtarët tregohen tani shumë agresivë ndaj çdonjërit që ata dyshojnë se përpiqet të krijojë trazira.

Kjo i bën qytetarët ti urrejnë më tepër ushtarët. Shumë njerëz ndihen sikur të jetonin në një shtet policor.

Por në Bagdad, mund të shohësh shumë shenja përparimi. Ja ç’thotë Terry McCarthy, gazetar i revistës Time:

”Gjërat ende nuk janë të përsosura por në rrugë ka drita shumicën e kohës. Në kryqëzimet e mëdha tani ka policë trafiku, janë hapur shumë më tepër dyqane. Tani shikon kafene interneti, që natyrisht nuk ekzistonin më parë. Të gjithë të japin adresën e internetit. Kjo është diçka shumë simbolike sepse tregon se telefonat punojnë. Pra mund të flasësh me njerëzit jashtë Irakut. Përpara ata ishin të izoluar fizikisht dhe naturisht edhe nga pikpamja ekonomike. Pra mund të shikosh që gjërat po ringjallen, shikon fillimet e një shoqërie civile që Saddami përpiqej të mos e lejonte.”

Për disa njerëz në Irak, gëzimi që erdhi me rënien e Saddam Husseinit është i tillë që ata janë gati t’u japin forcave të koalicionit më shumë kohë në përpjekjet e tyre të rindërtimit.

Ndërsa për të tjerë, sukseset në përmirësimin e furnizimit me energji dhe në edukim janë pa kuptim për sa kohë që njerëzit nuk mund të përballojnë çmimet dhe të jetojnë me frikën e krimit.

Megjithatë, shumica e të intervistuarve nga gazetarët ishin optimistë se e ardhmja do të jetë më e mirë.

XS
SM
MD
LG