Lidhje

Gjeorgji: udhëheqësja e re premton zgjedhje brenda 45 ditësh - 2003-11-24


Udhëheqësja e re e përkohshme e Gjeorgjisë u zotua të organizojë zhvillimin e zgjedhjeve brenda 45 ditëve dhe bëri thirrje për qendrueshmëri në këtë ish republikë sovjetike pas dorëheqjes së presidentit Eduard Shevarnaxe.

Presidentja e përkohshme Nino Burjanaxe, i kërkoi parlamentit të mblidhet nesër për të caktuar datën për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Ajo tha se për shkak të manipulimeve të mëdha me zgjedhjet e zhvilluara këtë muaj, anëtarët e parlamentit të vjetër, të zgjedhur në vitin 1999, do të qëndrojnë në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme.

Në fjalimin e saj të parë të transmetuar me televizion në të gjithë vendin, zonja Burjanaxe, ish kryetare e parlamentit, u bëri thirrje protestuesve anti-qeveritarë që të kthehen në punë tani që zoti Shevarnaxe ka dhënë dorëheqjen.

Zoti Shevarnaxe e dha dorëheqjen dje, përballë protestave të mëdha të opozitës që pasuan zgjedhjet e kontestuara parlamentare. Në një intervistë me një rrjet televiziv gjerman zoti Shevernaxe tha se ai do të qëndrojë në Gjeorgji, duke mohuar kështu zërat e shumtë që ishin përhapur se ai do të largohej për në Gjermani.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e përshëndetën kalimin paqësor të pushtetit në Gjeorgji dhe thanë se janë të gatshëm të punojnë me qeverinë e re të përkohshme.// lk //

XS
SM
MD
LG