Lidhje

Daci: Institucionet e Kosovës janë të gatshme të marrin përgjegjësitë që u takojnë - 2003-11-24


Kosova po hyn ne nje fazë të re intensive të zhvillimeve të saj politike. Në mes te vitit 2005, sipas nismës së re të shpallur nga Washingtoni, do te bëhet rishikimi i përparimit të bërë nga Kosova drejt plotësimit të standarteve. Në se vleresimi është pozitiv, kjo do t’i hapë rrugën fillimit të bisedimeve për statusin përfundimtar, por nëse vleresimi është negativ, ato do të shtyhen. Lidhur me këto çështje, Zëri i Amerikës intervistoi Kryetarin e Parlamentit të Kosovës, zotin Nexhat Daci.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci, para se te kalojme tek zhvillimet në Kosovë, cili është synimi i kësaj vizite që po bëni ju në Uashington?

Nexhat Daci: Pas dy vjet pune në institucionet e Kosovës, ndiej një nevojë që miqtë tanë më të mëdhenj dhe në një mënyrë, çliruesit e Kosovës t’i informojmë për rrjedhat në Kosovë, për arritjet, por edhe për sfidat që po i presin këto institucione politike, prandaj mendoj që mënyra më e mirë është që të jem i pranishëm fizikisht dhe politikisht në Uashington dhe të ofroj informata të drejtpërdrejta për ngjarjet në Kosovë dhe në rajon.

Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj, si janë zhvillimet në Kosovë?

Nexhat Daci: Ne vlerësojmë se ka një progres të theksuar në të gjitha fushat, në veçanti në atë politike, por nuk jemi të kënaqur që edhe pas dy vjetësh nuk po mundemi të ristartojmë një ekonomi, e cila do të krijonte një jetë normale në Kosovë. Kemi një papunësi tejet të theksuar që i tejkalon 55 përqind të popullatës. Ndërsa resurset e Kosovës janë të tilla që neve do të na mundësonin një jetë të qetë dhe normale; për këtë ne vlerësojmë - dhe të gjitha analizat profesionale tregojnë-, se papunësia ka të bëjë pikërisht me mospjesmarrjen e plotë të institucioneve të Kosovës në ushtrimin e përgjegjësive të veta.

Zëri i Amerikës: Pra, nëse ju kuptova drejt, ju kërkoni më shumë kompetenca nga UNMIK-u, një proces që ka qenë paksa kontradiktor dhe ka shkaktuar acarime midis jush?

Nexhat Daci:Vlerësimet tona analitike janë të tilla, që mendojmë se ka një ngecje tejet të madhe në bartjen e përgjegjësive në institucionet e Kosovës. Në qoftë se në bazë të Rezolutës 1244 dhe Kornizës Kushtetuese, të drejtat në ushtrimin e ekonomisë, në edukim, shëndetësi janë në kompetencë të Qeverisë së Kosovës- dhe tani UNMIK-u në vitin 2003, flet për bartjen e tyre,- automatikisht le të kuptohet se ne nuk kemi qenë në gjendje t’i ushtrojmë përgjegjesitë tona të plota. Prandaj, mendoj se kemi nevojë të informojmë miqtë tanë në Bashkësinë Ndërkombëtare, në radhë të parë në Uashington e pastaj edhe në Evropë, se duhet të kalojmë në një shpejtësi më të madhe në marrjen e përgjegjësive për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, një pjesë e kritikëve shqiptarë thonë se vetë politikanët shqiptarë nuk janë të gatshëm për t’i marrë këto përgjegjësi dhe një shembull i fundit janë bisedimet teknike me palën serbe, ku politikanët shqiptarë u përçane dhe krijuan debate të mëdha për çështjen se a duhet bërë apo jo takime me palën serbe. Atëherë përse UNMIK-u duhet t’iu kaloj më shumë kompetenca në kushte të tilla?

Nexhat Daci: Një pjesë e vogël këtyre vërejtjeve ka një bazë. Unë e them me përgjegjësi se misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka ardhur që të na mësojë se si të notojmë, por nuk ka qenë i gatshëm që të na provojë se sa kemi mësuar dhe të na lejojë të futemi në ujë. Disa herë ndoshta, me papërgjegjësitë tona ne edhe e kemi ndihmuar këtë mendim, megjithatë prania jonë në Vjenë dhe mëpastaj dëshira e riparuar e institucioneve përfshirë qeverinë dhe partitë politike, është që dialogu nuk ka alternativë dhe jemi të përgatitur ta kryejmë përgjegjësinë tonë. Jam shumë optimist se ne do ta bëjmë punën tonë me shumë përgjegësi.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci, sipas nismës së re amerikane, siç e përmendëm më parë, në vitin 2005 do të bëhet rishikimi i përparimit që është bërë në Kosovë drejt plotësimit të standarteve. Një vit nuk është shumë dhe koha kalon shpejt. A jeni ju optimist se deri në mes te vitit 2005 Kosova do të bëjë përparimin e duhur, që të marrë një vlerësim pozitiv për standartet?

Nexhat Daci: Vizita e zotit Grossman në rajon në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti, është ngjarja më e mirë pas çlirimit të Kosovës. Unë e thashë në takimin që pata me të, se vizita e tij vinte pas fërkimeve të mëdha që kishim me Bashkësinë Ndërkombëtare. Une shpreha gatishmërinë se nëse Kosova do të furnizohej me një infrastrukturë të caktuar ligjore dhe i jipet teknologjia e caktuar për ushtrimin e përgjegësive të veta, ne do të jemi gati në vitin 2004, sepse kjo edhe është përgjegjësia jonë e marrur nga elektorati i Kosovës. Kemi potencial politik dhe resurse natyrore dhe humane që ti kryejmë përgjegjësitë, prandaj nuk jam pesimist fare. Ajo që më brengos është se sipas bazës sime këshilldhënëse, UNMIK-u do ta zgjasë këtë proces ose me papërgaditjen e vet, ose me padashjen e vet. Por ne vërtetë jemi të gatshëm që t'i japim një shans misionit të Kombeve të Bashkuara që të përfundojë me sukses në Kosovë. Ne kemi një raport shumë të mirë me UNMIK-un dhe unë përsonalisht kam një raport shumë të mirë me zotin Holkeri. Unë e them me krenari se Kosova është shembulli më i mirë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe do të ishte dëm i madh që të mos e përfundojmë këtë me sukses.

XS
SM
MD
LG