Lidhje

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur në ish-Jugosllavi: t’u kalohet kjo detyrë organeve vendore - 2003-11-25


Zëvëndësdrejtorja e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur në ish-Jugosllavi dhe drejtoreshë e departamentit për marrëdhëniet me qeveritë, Kethrin Bomberger, e cila po zhvillon një vizitë në Kosovë, thotë se mbështetja e qeverive të ndryshme, qeverisë amerikane dhe qeverive evropiane për këtë komision, është shumë e madhe.

Zonja Bomberger thekson se puna e komisionit ndihmon në procesin e afrimit të familjeve në rajon dhe se është premisë për krijimin e një ndjesie të së vërtetës dhe drejtësisë për tmerret që ndodhën gjatë luftës.Ajo thekson se puna e komisionit do të ndihmojë për të mbyllur kapitullin e luftës dhe për të shkuar drejt ripajtimit.

Zonja Bomberger thotë se komisioni ka një bashkëpunim të mirë me administratën ndërkombëtare në Kosovë. ”Veçanërisht në çështjen e personave të zhdukur, ajo që do të donim të shihnim dhe shpresojmë se UNMIK-u po e planifikon këtë, do të donim të shihnim një kalim tek autoritetet kombëtare këtu. Siç e dini, Kosova ka një komision qeveritar për personat e zhdukur dhe një komision parlamentar për personat e zhdukur dhe do të donim shumë që ata të ndërmerrnin një rol aktiv në gjithë këtë proces. Ne jemi të inkurajuar gjithashtu nga përpjekja e zotit Holkeri për të vendosur dialog midis autoriteteve në Serbi e Mal të Zi dhe autoriteteve këtu në Kosovë për të diskutuar çështje me rëndësi për personat e zhdukur”.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur do të nënshkruajë të mërkurën një memorandum mirëkuptimi me UNMIK-un. Zonja Bomberger thotë se memorandumi përfaqëson një hartë të detajuar etapash sesi duhet të punohet në këtë process të identifikimit të personave të zhdukur. Me këtë memorandum do të ketë një grup procedurash të përcaktuara vepruese. Ai është si një libër instruksionesh, thotë ajo, duke shtuar se ai do të lejojë dy organizatat të veprojnë në një mënyrë më bashkëvepruese. //az//

XS
SM
MD
LG