Lidhje

SHBA: Iraku dhe gara presidenciale mes demokratëve - 2003-11-26


Iraku vazhdon të jetë çështja kryesore që trajtojnë në fjalimet e tyre kandidatët për president të Partisë Demokratike. 9 kandidatët e mundshëm për president të Partisë Demokratike, po e kritikojnë presidentin Bush, si dhe njëri tjetrin, lidhur me mënyrën se si ai po e trajton gjendjen në Irak.

Ndeshja më e fundit e demokratëve lidhur me Irakun ndodhi gjatë debatit elektoral të kandidatëve në shtetin Iowa, i cili u organizua nga rrjeti televiziv MSNBC. Zgjedhjet paraprake të Iowas më 19 janar shënojnë fillimin e procesit të përcaktimit të kandidatëve për presidentit.

Gjenerali Wesley Clark, me shpresë për të tërhequr sa më shumë mbështetje, e kritikoi ashpër vendimin e presidentit Bush për fillimin e luftën në Irak. "Administrata na futi në luftë në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa qënë nevoja ta bënte një gjë të tillë. Lufta ishte e gabuar, pikërisht ky duhet të jetë problemi kryesor i këtyre zgjedhjeve dhe për këtë duhet t’i flasim ne popullit amerikan" tha zoti Clark.

Por ndërsa konkurrentët demokratë kritikuan presidentin, ata debatuan me njëri tjetrin lidhur me politikat e ndryshme që duhen ndjekur ndaj Irakut.

Senatori i Massachussetsit John Kerry tha se eksperienca e tij në politikën e jashtme i jap atij avantazh ndaj ish-guvernatorit të Vermontit, Howard Dean, i cili konsiderohet nga shumë vetë, si kandidati kryesor i Partisë Demokratike në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. "Nuk kam thënë kurrë se zoti Dean nuk është i aftë për ta bërë këtë. Kam thënë se përvoja në politikën e jashtme është një element shumë i rëndësishëm dhe jetik në përpjekjet tona për t’i bërë sfidë presidentit Bush në kohë lufte" tha zoti Kerry.

Howard Dean vazhdoi ta kritikojë senatorin Kerry dhe kandidatët e tjerë demokratë, të cilët votuan për ta mbështetur kërkesën e presidentit Bush për fillimin e luftës në Irak vitin e kaluar. "Ky ishte një vendimi i gabuar. Ishte një lloj abdikimi, një dështim nga ana e Kongresit dhe Senatori Kerry ishte pjesë e këtij dështimi. Mendoj se ne nuk kemi nevojë për një eksperiencë të tillë në politikën e jashtme të Shtëpisë së Bardhë. Mendoj se ne kemi nevojë për një person, i cili të marrë vendime të pavarura dhe të mos bëjë lëshime, kur është fjala për rolin e Kongresit në formulimin e politikave të jashtme dhe deklarimin e luftës", - tha zoti Dean.

Ligjvenësi i Misurit Richard Gephard ju përgjigj zotit Dean, duke thënë se në fillim zoti Dean ishte për përdorimin e forcës kundër Sadam Husseinit, por pastaj ai ndërroi mendje. "Në se duam ta mundim George Bushin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, duhet të mbajmë një qëndrim të qartë për këto çështje dhe t’i përmbahemi vazhdimisht këtij qëndrimi. Nuk duhet të përhapemi në shumë probleme. Unë mund ta sfidoj, presidentin Bush, kur është fjala për çështjen e sigurisë për popullin amerikan", -thotë zoti Gephard.

Ligjvenësi Gephard dhe guvernatori Dean gëzojnë mbështetje thuajse të barabartë në shtetin e Iowas. Ndërsa në New Hampshire, ku zgjedhjet paraprake zhvillohen një javë pas atyre të Iowas, kryesojnë zoti Dean dhe Senatori Kerry.

Analistët politikë thonë se debatet e kandidatëve demokratë mund të bëhen përherë e më ballafaquese, ndërkohë që 9 kandidatët po përpiqen të dallohen nga njëri-tjetri përsa u përket ideve të tyre, para fillimit të zgjedhjeve paraprake vitin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG