Lidhje

Ditën e Falenderimeve amerikanët kujtojnë prejardhjen e tyre, hanë gjeldeti të pjekur dhe shohin futboll - 2003-11-26


Në mbarë Shtetet e Bashkuara të enjten festohet një nga traditat më të vjetra dhe më të respektuara, Dita e Falenderimeve. Gati para katër shekujsh, grupe disidentësh u nisën me anije nga Anglia drejt Botës së Re në kërkim të lirisë fetare.

Një grup besimtarësh protestantë mbërritën në Plymouth-in e sotëm në shtetin Massaschussetts në fund të viteve 1620. Ata vuajtën shumë gjatë dimrit të tyre të parë në Amerikë. Gati gjysma vdiqën nga uria apo të ftohtit, por me ndihmën e indianëve vendas, kolonët mësuan çfarë ushqimesh të hanin dhe si të ndërtonin shtëpinë që t’u qendronte elementëve të natyrës.

Festa e parë e Falenderimeve daton në vitin 1621 dhe përkonte me korrjet e vjeshtës, më pak se një vit nga koha që pelegrinët kishin shkelur në Amerikë. Mendohet se në këto festime kanë marrë pjesë rreth 50 pelegrinë e 90 indianë, të cilët në gosti patën ushqime që tani konsiderohen tradicionale për Ditën e Falenderimeve, përfshirë perimet me të cilat ushqeheshin vendasit, dhe pulat e pjekura të detit.

Por për kolonët, kjo festë e parë ishte me tepër laike sesa fetare. Pjesën më të madhe të tre ditëve të festivalit të vjeshtës u zhvilluan festime dhe lojra, por kjo nuk u përsërit më kurrë. Një festë për t’i shprehur Zotit falenderime të posaçme do të kishte qenë e paimagjinueshme për kolonët tepër fetarë apo puritanë, siç quheshin shpesh, të cilët i përqendronin energjitë e tyre në Sabatin e Krishterë dhe jo në ditë adhurimesh të shpikura nga njerëzit. Në fakt, Dita e parë e Falenderimeve e shpallur nga pelegrinët u nderua në verën e vitit 1623 dhe iu kushtua felenderimeve të posaçme Zotit që i kishte dhënë fund një thatësire, dhe kjo ditë ishte relativisht e qetë e pa festime të bujshme.

Po cili ka qenë imazhi historik për këtë festë gjatë shekujve? Historiani Jeff Kemp, përmend intelektualët e fundit të shekullit të 19-të e fillimit të shekulit të 20-të si krijues të nocionit historik të kësaj dite. ”Njerëzit zgjodhën pelegrinët si zanafillën e kësaj feste, pasi ata dukeshin si amerikanët më të pastër. Po t’i referohesh Jamestown-it në Virxhinia, ku në fakt u vendos kolonia e parë me anglezë, banorët ishin pronarë skllevërish. Edhe gjatë periudhës viktoriane, shtetet, ku pronësia mbi skllevërit ishte normë, po shkëputeshin nga Unioni në prag të Luftës Civile dhe po kryenin vepra të dënueshme. Kështu që nuk ishte e udhës që amerikanët e parë të ishin nga Jamestown-i apo nga Bostoni në veri, ku kuakers, sekt të krishterësh kundër luftës, masakroheshin a digjeshin të gjallë. Kështu njerëzit më të shkolluar ndërtuan nocionin se Amerika rrjedh nga anija Mayflower e cila solli pelegrinët në Botën e Re”.

Imazhi viktorian i Ditës së Falenderimeve nuk shërbeu vetëm si pasqyrë për të vështruar të kaluarën e kombit, por edhe si dritare përmes së cilës amerikanët kanë shikuar të ardhmen. Megjithatë shumë historianë reagojnë menjëherë dhe thonë se nga fundi i shekullit të 19-të, shumica e indianëve të Amerikës ishin shtrënguar të jetonin në rezervate dhe toleranca fetare e barazia raciale donin dekada të tëra të bëheshin realitet. Për më tepër, kritikët argumentojnë se sot Dita e Falenderimeve ka kuptim më të gjerë sesa ndjekja e ndeshjeve të futbollit amerikan, ngrënia me tepri apo fillimi i sezonit të blerjeve para Krishtilindjes.

Profesori i Historisë, Solomon Davidoff, parardhësit e të cilit kanë emigruar nga Evropa Lindore, thotë se, gjithësesi, Dita e Falenderimeve mbetet pjesë e rëndësishme e kulturës amerikane. //az//

XS
SM
MD
LG