Lidhje

Shpërthime të fuqishme në qendër të Bagdadit - 2003-11-26


Në qendër të Bagdadit u dëgjuan të martën mbrëma disa shpërthime të fuqishme, vetëm disa orë pasi zyrtarët amerikanë në Irak thanë se gueriljet po i drejtojnë sulmet e tyre më tepër kundër irakianëve sesa ndaj trupave amerikane.

Në zyrat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e të Bashkuara u dëgjuan sirenat dhe, sipas dëshmitarëve, dy predha apo raketa goditën ndërtesat aty pranë. Por deri tani, zyrtarët amerikanë nuk kanë dhënë hollësi rreth incidentit.

Guerriljet kanë qëlluar me mortaja selinë e koalicionit në Bagdad edhe në të kaluarën.

Po të martën, Kryeadministratori amerikan i Irakut, Paul Bremer, tha se gueriljet kanë ndryshuar taktikë dhe po i përqendrojnë tani sulmet më shumë kundër irakianëve sesa ndaj forcave të koalicionit. Zoti Bremer tha se gueriljet po përpiqen të frikësojnë irakianët e pafajshëm, pasi ata nuk mund të frikësojnë koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ai tha se ata nuk do t’ia arrijnë qëllimit sepse populli irakian nuk do të gjunjëzohet para terrorizmit.

Zoti Bremer i bëri këto komente pas një seri sulmesh të ditëve të fundit, përfshirë shpërthimin e dy makinave bombë kundër stacioneve të policisë irakiane, vrasjen të dielën të një shefi policie në Latifiyah dhe të një koloneli të policisë në Mosul ditën e shtunë. Në sulmin e ditës së diel u vranë edhe tre ushtarë amerikanë. //az//

XS
SM
MD
LG