Lidhje

Udhëheqësit shiit kundërshtojnë planin për kalimin e pushtetit - 2003-11-26


Në Irak, udhëheqës të komunitetit shiit që përbën shumicën, paraqitën kundërshtime ndaj një plani të ri për kalimin e pushtetit nga forcat e koalicionit tek një qeveri e përkohshme.

Kreu i një partie të rëndësishme politike shiite, Abdel-Aziz al-Hakim, i cili është gjithashtu anëtar i Këshillit qeverisës, tha se plani e shtyn së tepërmi mbajtjen e zgjedhjeve.

Ndërkohë, udhëheqësi më me ndikim i shiitëve në Irak, Ayatollahu i Madh Ali al-Sistani, citohet të ketë thënë se plani nuk parashikon një rol për popullin irakian në kalimin e pushtetit dhe nuk siguron identitetin islamik të Irakut.

Plani i ri, i miratuar në fillim të këtij muaji nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Këshilli Qeverisës Irakian, parashikon që sovraniteti i vendit ti kalojë vitin e ardhshëm një qeverie të përkohëshme të zgjedhur nga udhëheqësit e komuniteteve të ndryshme.

Sipas planit, zgjedhjet e plota do të mbahen jo përpara vitit 2005. Ndërkohë, forcat amerikane thonë se kanë arrestuar gruan dhe vajzën e një ish zyrtari të lartë irakian i cili dyshohet se qendron prapa sulmeve kundër trupave të koalicionit.

Forcat amerikane nuk kanë mundur të kapin vetë personin e kërkuar, Izzat Ibrahim al-Duri. Zoti al-Duri ka qenë një bashkëpunëtor i vjetër i udhëheqësit të përmbysur irakian Saddam Hussein. Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një shpërblim prej deri në 10 milion dollarësh për kapjen e tij.

//rd//

XS
SM
MD
LG