Lidhje

Presidenti Bush komenton pas vizitës së befasishme në Irak - 2003-11-28


Presidenti Bush tha se e kishte bërë vizitën e papritur në Irak me rastin e Ditës së Falenderimeve për t’u deklaruar personalisht ushtarëve amerikanë që shërbejnë atje se populli amerikan i mbështet ata.

Duke folur për gazetarët gjatë kthimit nga Bagdati, Presidenti Bush tha se dëshironte që trupat amerikane në Irak ta dinin se ata kanë mbështetjen e plotë të komandantit të tyre të përgjithshëm dhe të gjithë vendit.

Rreth 6 javë më parë, ai i kërkoi një numri të vogël ndihmësish të shikonin mundësinë e një vizite tek trupat në Irak gjatë Festës së Falenderimeve. Në Shtëpinë e Bardhë sekretin e dinin vetëm nënpresidenti, shefi i personelit, Andy Card dhe Këshilltarja e Sigurimit Kombëtar, Condoleezza Rice.

Presidenti tha se i kishte treguar zonjës Bush gjatë turneut të muajit tetor në Azi se ai kishte në plan të vizitonte Bagdatin, por do të shkonte atje vetëm nëse gjykohej se udhëtimi do të ishte i sigurt.

Për vizitën ai u tregoi dy vajzave të tij të mërkurën mbrëma, pak para se të nisej në fshehtësi nga ferma e tij e Teksasit. Prindët e tij arritën për darkën e festës pa e ditur se i biri ishte nisur për në Bagdad.

Gjatë vizitës që zgjati 2 orë e gjysmë, Presidenti u tha disa prej anëtarëve të Këshillit Qeverisës Irakian se u mbetej atyre që të shfrytëzonin momentin dhe të formonin një qeveri e cila të njohë dhe të mbrojë të drejtat e të gjithë irakianëve.

Ai tha se i kishte siguruar ata se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë kursin e tyre në Irak dhe do ta çojnë punën deri në fund duke ndihmuar në vendosjen e sigurisë dhe të një qeverisjeje demokratike.

SI U RUAJT SEKRETI I VIZITES

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se po të kishte dalë fjala se Presidenti Bush ishte nisur për në Bagdad, aeroplani presidencial do të ishte kthyer mbrapsht në mes të rrugës.

Autoritetet amerikane morën të gjitha masat që vizita e Presidentit të mbahej sekret deri në kthim. Zoti Bush u largua nga ferma e tij në Teksas të mërkurën vonë në një makinë pa targa dhe me një kasketë bejzbolli në kokë, ashtu si edhe këshilltarja e sigurimit kombëtar, Condoleezza Rice, që e shoqëronte në këtë udhëtim.

Fotografët dhe reporterët, që shkuan me Presidentin u njoftuan në momentin e fundit dhe disave prej tyre iu dhanë vetëm disa minuta për t’u bërë gati.

Avioni i Presidentit Bush u ul në Bagdad me dritat gjysmë të mbyllura. Gjatë uljes, Presidenti ndodhej në kabinën e pilotit.

Një pilot i shoqërisë British Airways për pak sa nuk e nxori sekretin. Ai e diktoi avionin në ajër dhe pyeti me radio në se fjala ishte për aeroplanin presidencial. Por përgjigja që mori ishte negative.//II

XS
SM
MD
LG