Lidhje

Provat tek njeriu për një vaksinë të mundshme kundër SARS-it mund të fillojnë vitin e ardhshëm - 2003-11-29


Mbi 50 ekspertë të SARS-it u takuan kohët e fundit në Gjenevë në zyrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ata vinin nga 15 vende për të diskutuar mbi përparimin e përpjekjeve kundër sëmundjes së rrugëve të frymëmarrjes.

SARS-i u shfaq për herë të parë në Kinën jugore në fund të vitit të kaluar. Sëmundja u përhap në Azi dhe pjesë të tjera të botës. Organizata Botërore e Shëndetësisë nxorri paralajmërime për udhëtime. Zyrtarët e shëndetësisë punuan me intensitet. Ata i izoluan pacientët me SARS. Ata u përpoqën të gjenin të gjithë njerëzit që mund të kishin patur kontakt me të sëmurët.

SARS-i u vu nën kontroll në mes të këtij viti. Deri në atë kohë, 8 mijë vetë ishin prekur nga sëmundja. Mbi 700 vdiqën.

SARS-i shkakton efekte të ngjashme me ato të pneumonisë, ose gripit. Të prekurit nga kjo sëmundje shpesh kolliten dhe kanë vështirësi dhe dhimbje kur marrin frymë. Temperatura e trupit rritet. SARS-i mund t’i bëjë gjithashtu njerëzit të ndjehen të lodhur, atyre mund t’u dhembin duart dhe t’u ikë oreksi. Megjithatë, shumica e njerëzve me SARS zakonisht e marrin veten brenda dy javësh.

Nëse SARS-i rikthehet në fund të këtij viti, nuk do të ketë një vaksinë për parandalimin e tij. Por ekspertët në takimin e Gjenevës vlerësuan përparimin e bërë deri tani. Ata diskutuan mbi punën për vaksinat eksperimentale që i kanë provuar ndaj sëmundjeve të shkaktuara nga viruse të ngjashme tek kafshët.

SARS-i shkaktohet nga një virus që bën pjesë në një familje virusesh që shkaktojnë sëmundje si tek kafshët, ashtu edhe të ftohtin tek njerëzit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se prova e parë e një vaksine ekperimentale të SARS-it tek njerëzit mund të bëhet që në janar të vitit të ardhshëm. Ajo thotë se vaksina mund të jetë gati pas katër deri pesë vjetësh, nëse nuk ka një epidemi të madhe të SARS-it. Nëse kjo ndodh, organizata thotë se procesi i zbulimit të saj mund të shkurtohet në dy vjet.

Doktoresha Marie-Paule Kieny është drejtore e Nismës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Studimet për Vaksinat. Ajo tha se procesi për gjetjen e një vaksine për SARS-in më shpejt se zakonisht, do të ishte shumë kompleks. Do të kërkonte bashkëpunim ndërkombëtar të vazhdueshëm. Por ajo tha se nuk duhej bërë kurrë kompromis me cilësinë e saj.

Derisa të zbulohet një vaksinë, Organizata Botërore e Shëndetësisë duhet të jetë e gatshme të praktikojë masat ekzistuese të kontrollit që janë efektive, në rast se SARS-i rishfaqet.

//ze//

XS
SM
MD
LG