Lidhje

I dërguari i lartë amerikan në Lindjen e Mesme po takohet me kryeministrin Sharon - 2003-11-30


I dërguari i lartë amerikan në Lindjen e Mesme, William Burns, po takohet me kryeministrin izraelit, Ariel Sharon, për t’i dhënë shtytje procesit të ngecur të paqes në rajon.

Zoti Burns po shqyrton mundësinë në se do të rekomandojë që i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, John Wolfe, të kthehet në rajon për të mbikqyrur zbatimin e marrëveshjes ndërkombëtare të paqes. I dërguari për Lindjen e Mesme u largua nga rajoni pas rënies së qeverisë së mëparshme palestineze, e kryesuar nga Mahmud Abass.

Zoti Burns tha se Shtetet e Bashkuara ende dëshirojnë të arrijnë objektivin e deklaruar të planit të paqes, që është krijimi i një shteti të pavarur palestinez deri në vitin 2005.

Takimi i sotëm pason bisedimet e djeshme midis zotit Burns dhe kryeministrit palestinez, Ahmed Qureia, në ambasadën amerikane në Aman të Jordanisë. Njoftohet se diplomati amerikan i kërkoi zotit Qureia që të bëjë të gjitha përpjekjet për të ndalur dhunën kundër izraelitëve në mënyrë që procesi i paqes të vazhdojë.

Përfaqësuesi i lartë palestinez, Saeb Erekat, u takua po sot me shefin e personelit të kryeministrit Sharon, Dov Weisglass, për të punuar rreth një takimi të mundshëm mes kryeministrit izraelit dhe homologut të tij palestinez.

//ze//

XS
SM
MD
LG