Lidhje

Shqiperi: Partia Socialiste nuk zgjidh dot krizën qeveritare - 2003-11-30


Partia Socialiste po has në vështirësi të reja gjatë përpjekjeve për të zgjidhur krizën qeveritare dhe tensionet midis grupeve rivale brenda saj. Kryeministri Fatos Nano dhe kundërshtarët e tij në PS i ashpërsuan skajshëm replikat dhe qëndrimet ndaj njëri-tjetrit në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, duke nxjerrë edhe një herë në dritë përçarjet brenda tyre, të cilat shumë analistë po i vlerësojnë tashmë si të pariparueshme.

Kryeministri dhe kryetari PS u përpoq të bindte deputetët për argumentat e disa ndryshimeve të pjesshme në qeveri, sikur të mos i mjaftonin dy postet ministrore mbetur bosh në ministrinë e jashtme dhe atë të rendit publik. Por kundërshtarët e tij të mbledhur rreth ish-kryeministrit Ilir Meta kanë kërkuar dorëheqjen e zotit Nano nga kreu i qeverisë dhe partisë, pasi, sipas tyre, ai po abuzon me gjithë këtë pushtet dhe shpesh është bërë burim konflikti dhe përçarjesh në PS.

Ndërkaq Partia Demokratike e opozitës i bëri edhe një herë thirrje presidentit Moisiu që të ndërhyjë për t’i dhënë fund krizës qeveritare.

Qeveria ka gjashtë muaj pa ministër të jashtëm që nga dorëheqja e Ilir Metës dhe afro një muaj pa ministër rendi që nga shkarkimi i Luan Ramës. Deputetët socialistë kundërshtarë të zotit Nano rrëzuan dy herë në parlament së bashku me opozitën ministrat e rinj që propozonte kryeministri, ndërsa në qarqet politike po flitet tani gjithnjë e më shpesh për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Në këto debate të ndezura politikanët socialistë janë duke shpenzuar kohën deri në kongresin e 12 dhjetorit, forumi më i lartë partiak, nga pritet që të dalë një zgjidhje për situatën e koklavitur, pasi asnjë prej forumeve më të ulta nuk ka më fuqi të gjejë rrugëdalje.

//ze//

XS
SM
MD
LG