Lidhje

Telefonat celularë dhe turizmi - 2003-12-02


Historinë e një pjese të New Yorkut që dikur gumëzhimte, falë teknologjisë celulare, mund ta kesh tani në pëllëmbë të dorës. Telefonat celularë po përdoren si udhërrëfyes dhe sjellin tani për turistët pamjet dhe zhurmat e jetës të një lagjeje 100-vjeçare imigrantësh në New York. Në të ardhmen e afërt, përdoruesit e celularëve do të jenë në gjendje të lidhen me historitë e pasura të lagjeve të tjera të famshme nëpër botë. Komiku Jerry Stiller ka lindur dhe është rritur në New York. Zëri i tij u rrëfen udhën përdoruesve të celularëve nëpër rrugët e ngushta të Anës së Poshtme Lindore, e cila dikur ishte e mbushur me emigrantë të rinj në kërkim të një jetë më të mirë në Amerikë.

”Talking street” - kompani kjo e veçantë e telefonisë celulare - do të drejtojë vizitorët nëpër lagje që ecin sipas qejfit. Miles Kronby është sipërmarrës i këtij gërshetimi ndërmjet teknlogjisë së lartë dhe turizmit. ”Zgjodhëm Lagjen e Poshtme Lindore, sepse është vend i mbushur me histori, personazhe e drama të mahnitshme. Është një zonë e ngushtë, kështu që mund të ecësh më këmbë dhe celulari është një mënyrë e efektshme për të zbuluar këto histori të mrekullueshme”, thotë zoti Kronby.

Përdoruesit e celularëve i bien numrit falas dhe e shohin veten të shtyrë pas në kohë në vende të tilla, si Grand Street numër 407. Kjo ka qenë shtëpia e fëmijërisë e njërit prej autorëve më të mëdhenj amerikanë të këngëve, Irving Berlin - imigrant i varfër rus i cili u bë tepër i famshëm përmes krijimit të melodive aq të njohura, si White Christmass dhe God Bless America.

Ndalesa e parë e shëtitjes nën drejtimin e celularit është kryqëzimi i rrugëve Broome dhe Orchard, qendra e dikurshme e industrisë së veshjeve. Komiku Jerry Stiller përshkruan skenën. Ndërmjet viteve 1880 dhe 1920, gjysëm-milioni emigrantësh hebrenj u dyndën në këtë lagje. Në atë kohë, kjo ishte lagjja më e populluar në botë.

Zoti Kronby thotë se ideja për udhërrëfim përmes telefonave celularë i kishte ardhur kur ai po vizitonte një pazar në Stamboll. Ai thotë se kishte patur përshtypjen se ai vend ishte i mbushur me histori për të cilat ai vetë dinte pak.

Programe shëtitjesh të tjera nën drejtimin e celularit janë planifikuar deri nga fillimi i 2004-ës për zona të tjera të famshme të qytetit të New Yorkut, si Times Square, Ground Zero, Central Park dhe Wall Street, e po ashtu edhe për Bostonin, Washingtonin, San Franciscon, Londrën dhe Parisin.

//rd//

XS
SM
MD
LG