Lidhje

Forcat amerikane kryen dje një operacion të rëndësishëm afër qytetit të Kirkukut - 2003-12-03


Forcat amerikane kryen dje një operacion të rëndësishëm afër qytetit verior të Kirkukut.

Zyrtarë irakianë thanë se objektivi i operacionit ishte ish-zëvendësi i Sadam Huseinit, Izat Ibrahim al-Duri.

Ata thanë se forcat amerikane arrestuan sekretarin personal të të arratisurit, Saad Mohamed al-Duri. Por zyrtarë amerikanë mohuan njoftimet se vetë zoti al-Duri ishte kapur.

Pas Sadam Huseinit, zoti al-Duri është anëtari më i lartë i regjimit të mëparshëm irakian, që ende nuk është kapur. Ushtria amerikane mendon se ai mund të jetë organizatori i sulmeve ndaj forcave të koalicionit dhe ka ofruar 10 milion dollarë shpërblim për të dhëna që çojnë në kapjen apo vrasjen e tij.

Javën e kaluar trupat amerikane kapën gruan dhe vajzën e al-Durit, si dhe një numër përkrahësish të tij gjatë një bastisjeje në qytetin Samarra. Komanda Qendrore Amerikane tha në atë kohë se nuk kishte shenja që zoti al-Duri të ndodhej aty pranë. Po dje, një ushtar amerikan u vra nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës në jug të qytetit Samarra.

Ndërkohë, kryeministri i Spanjës, Jose Maria Aznar u zotua se trupat spanjolle do të qendrojnë në Irak. Ai e bëri këtë deklaratë vetëm pak orë pas pjesmarrjes në funeralin e 7 agjentëve të zbulimit ushtarak të vrarë javën e kaluar në Irak. Në Irak janë dislokuar aktualisht rreth 13 mijë trupa spanjolle.

Zoti Aznar vlerësoi lart në fjalimin e tij cilësitë morale të shtatë agjentëve spanjollë që u vranë të shtunën në jug të Bagdatit.

//ze//

XS
SM
MD
LG