Lidhje

Izraelitët protestojnë ndaj ndërtimit të vendbanimeve të reja - 2003-12-03


Veprimtarë izraelitë të paqes dhe protestues palestinezë u përleshën sot me njësi të posaçme policore gjatë një përpjekjeje për të ndalur ndërtimin e një vendbanimi të ri hebraik në Jeruzalemin Lindor.

Dhjetëra protestues u përpoqën të bllokonin buldezerë me trupat e tyre, para se policia ti largonte ata me forcë. Sipas dëshmitarëve, të paktën një person u plagos gjatë përleshjes. Izraelitët kanë në plan të ndërtojnë rreth 400 shtëpi pranë fshatit arab Xhabel Mukhaber. Protestuesit thonë se ndërtimi që nisi në fillim të javës, është i paligjshëm dhe shkel planin ndërkombëtar të paqes.

Sipas gazetës amerikane Uashington Post, grupe që vëzhgojnë veprimtarinë në vendbanimet hebraike, thonë se Izraeli ka miratuar ndërtimin gjatë këtij viti të më shumë se një mijë e 700 shtëpive të reja. Fondacioni për Paqe në Lindjen e Mesme me qendër në Uashington thotë se kjo shifër është pak a shumë e njëjtë me numrin e shtëpive të ndërtuara gjatë dy vjetëve të mëparshëm, para se Izraeli të pranonte planin ndërkombëtar të paqes. Pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar i shikon vendbanimet hebraike në Jeruzalemin Lindor dhe në pjesë të tjera të Bregut Perëndimor dhe në Rripin e Gazës si të paligjshme.

//rd//

XS
SM
MD
LG