Lidhje

Analistët: Në Shqipëri është vendosur një regjim partitokratik - 2003-12-03


Në Uashington ndodhet këto ditë një grup drejtuesish shqiptarë të disa institucioneve private dhe jo qeveritare me ftesë të Departamentit të Shtetit për bisedime me zyrtarët amerikanë mbi rolin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Dy prej tyre, Presidenti i Institutit për Studime Bashkëkohore Genc Ruli dhe Drejtori i Institutit të Mediave Remzi Lani i dhanë të mërkurën një intervistë Zërit të Amerikës:

Zëri i Amerikës: Zoti Lani, cili është qëllimi i vizitës suaj në Shtetet e Bashkuara?

Remzi Lani: Ne erdhëm në Washington të ftuar nga Departamenti i Shtetit, në një vizitë të organizuar nga ambasada (amerikane) në Tiranë, për takime në institucionet amerikane, në Departamentin e Shtetit, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, lidhur me rolin e Shqipërisë në koalicionin anti-terrorist, me rolin e faktorit shqiptar në përgjithësi në Ballkanin e sotëm dhe sidomos me çështje që lidhen me imazhin e Shqipërisë në botë. Gjatë takimeve që patëm, ne shprehëm një shqetësim që lidhet me identifikimin e Shqipërisë në terma fetare që haset herë pas here, më saktë me karakterizimin e Shqipërisë si një vend islamik i moderuar, apo si një vend islamik demokratik. Ne i mirëkuptojmë arsyet se përse përdoret kjo terminologji, megjithatë ne besojmë seriozisht, gjë që u shpreh edhe në Tiranë gjatë një konference ndërkombëtare që u zhvillua dy-tre javë më përpara se çdo identifikim i Shqipërisë me terma fetare, është i gabuar dhe kundërproduktiv. Shqipëria është thjesht një vend multifetar, me një bashkëjetesë dhe harmoni fetare të admirueshme, çka në fakt është një nga gjërat që do t’i shërbente përmirësimit të imazhit të Shqipërisë në botë, një gjë që ne duhet ta promovojmë akoma më shumë. Ne mendojmë se përdorimi i termave si vend islamik i moderuar, apo vend islamik demokratik nuk na ndihmon dhe shpresoj, jo shpresoj, por besoj se gjetëm mirëkuptimin e bashkëbiseduesve tanë këtu në Washington.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruli, Shqipëria u rreshtua me koalicionin ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit që në fillimet e kësaj lufte dhe ky gjest i Shqipërisë nuk kaloi pa u vënë re në komunitetin ndërkombëtar, megjithatë, ashtu siç ka ndodhur shpesh herë edhe në të kaluarën, politikat e brendshme, paqendrueshmëria politike në Shqipëri duket se nuk e kanë lejuar vendin të përfitojë sa më shumë nga kjo ngritje e imazhit. Çfare dëmi i kanë sjellë Shqipërisë këto mosmarrëveshje të brendshme politike?

Genc Ruli: Dëmi i parë do të thoja është që këto evenimente historike në të cilat Shqipëria ka bërë përzgjedhjen e duhur nga pikëpamja diplomatike, qoftë rreshtimi i hapur dhe i mënjëhershëm në koalicionin anti-terror, qoftë nënshkrimi i Kartës së Adriatikut, qoftë dërgimi i trupave paqeruajtëse në Afganistan, apo në Irak nuk dhanë atë rezultat që mund të jepnin në përmirësimin e imazhit politik të Shqipërisë në tërësi. Dëmi është i shumëanshëm, dëmi që sjell së pari instabiliteti politik, ose më tepër ai që kemi një konflikt tepër të vrazhdë dhe deri diku primitiv politik që po shfaqet sot në Shqipëri. Këto vetvetiu kanë impakt, më e pakta do të ishte thjesht në aspektin ekonomik, domethënë në drejtim të investitorëve të huaj, të klimës që krijohet për tërheqjen e investimeve të huaja, qoftë të investimeve institucionale, nga struktura ndërkombëtare financiare, qoftë investime private. Por mendoj që së pari ngelet gjithmonë perceptimi dhe përshtypja që Shqipëria është një vend me një qeverisje relativisht të paqëndrueshme, që shumë shpejt hyn në kriza politike, me politikanë të cilët sakrifikojnë shumë nga interesat e kombit dhe të vendit për hir të interesave të tyre personale, një vend ku sidoqoftë korrupsioni, krimi i organizuar ngelen defekte të mëdha, fenomene të rrezikshme madje, që perceptohen kështu nga të huajt, pavarësisht sesa mund të jetë shkalla e cilësimit të tyre. Kështu që dua të them që përsëri imazhi i Shqipërisë, qoftë ky imazh zyrtar, apo imazh mediatik, nuk është i kënaqshëm. Një aspekt më konkret ku ne e ndjemë dhe pothuajse ia pamë sinjalet, është sidomos procesi konkret dhe i filluar i negociatave për marrëveshjen e stabilizim-asociimit, i cili të paktën me prononcimet e deritanishme, na ngelet të presim muajt e ardhshëm. Për mendimin tim ky proces ka ngelur në një gjendje të njëfarë pezullimi, ose shtyrje në kohë. Ky do të ishte një dëm tepër i madh.

Zëri i Amerikës: Zoti Lani, 12 vjet nuk janë pak që një vend ndonëse ka dalë nga një izolim i thellë komunist, të krijojë një demokraci funksionuese. Megjithatë, në Shqipëri sot duket se institucionet janë ende tepër të brishta. Dje kreu i qeverisë sulmoi ashpër Kolegjin Zgjedhor, duke i quajtur anëtarët e tij të korruptuar. Akuza të tilla të rënda, nëse nuk hyjnë në kanalet e drejtësisë, a nuk ndikojnë për uljen e respektit qoftë ndaj këtij kolegji, qoftë ndaj atij që bën akuzat, ndaj rolit të kryeministrit?

Remzi Lani: Është e qartë që klima e akuzave dhe në përgjithësi klima e ashpër politike në vend, nuk i shërben konsolidimit të institucioneve ende të brishta demokratike të vendit, madje është një nga pengesat e forcimit të tyre. Sigurisht këtu ka dy aspekte: e para është mentaliteti i klientelizmit që dominon tek klasa politike, tek politikanët shqiptarë, sipas të cilit institucionet e pavarura, institucionet mbipartiake janë të mira kur bëjnë gjëra që të pëlqejnë ty dhe janë të këqija, janë kriminale, kur bëjnë gjëra që nuk të pëlqejnë ty. E dyta sigurisht duhet të jemi realistë, vetë institucionet kanë probleme që lidhen me pavarësinë e tyre dhe nuk duhet të jemi naivë të mendojmë se ato janë krejtësisht të pavarura dhe ato vetë nuk janë të çliruara nga ky mentalitet i klientelizmit. Ajo çka mua më shqetëson është banalizimi i debatit politik në vendin tonë. Kjo ka sjellë për shembull, nëqoftëse marrin luftën kundër korrupsionit, ku të gjithë kanë akuzuar të gjithë, një situatë kur tani të gjithë janë të korruptuar, çka me fjalë të tjera mund të përkthehet se asnjë nuk është i korruptuar dhe korrupsioni nuk përdoret dot si kartë serioze në fushatat elektorale. Bëhet zhurmë rreth tij, por publiku është bërë gati i pandjeshëm. Në fakt ky banalizim i korrupsionit, ndoshta edhe i krimit të organizuar, është edhe një nga pengesat që këto nuk luftohen me efikasitet për mendimin tim. Tjetra është që ky debat banal, kjo klimë akuzash, ka lënë në hije atë që duhet të ishte debati i vërtetë në Shqipëri: debati për reformat, ato demokratike dhe institucionale, të cilat duhet ta pranojmë që janë të bllokuara. Me fjalë të tjera, logjika e luftës kundër korrupsionit, e fushatave kundër korrupsionit, ka zëvendësuar logjikën e reformave, logjika e fushatave kundër krimit të organizuar ka zëvendësuar logjikën e ndërtimit të institucioneve dhe sado që ky debat ndonjëherë justifikohet me faktin që është demokratik, sigurisht është demokratik, por unë mendoj se Shqipëria nuk ka nevojë për demokraci, por ka nevojë për demokraci funksionale, me fjalë të tjera, ne kemi nevojë për një debat i cili i shërben ndërtimit të institucioneve, i cili i shërben reformave, i shërben përparimit të vendit. Klima e akuzave shterpe, është për mendimin tim demokratike vetëm në sipërfaqe.

Zëri i Amerikës:/b>Zoti Ruli shpesh flitet në Shqipëri që politikanët janë tepër të lidhur me ekonominë ose me botën e krimit të organizuar. Sa kanë rënë politikanët, klasa qeverisëse në Shqipëri, viktimë e kësaj bote? Sa i përfaqësojnë ata interesat e ekonomisë informale?

Genc Ruli: Përgjithësisht ky është një fenomen i pamatshëm, edhe në mënyrë shkencore edhe në mënyrë praktike. Nuk është shqetësuese vetëm lidhja me pjesën e kriminalizuar, apo me krimin e organizuar, por edhe lidhjet e deformuara me interesa të grupeve të caktuara të biznesit janë po aq shqetësuese. Këto vihen re në mjaft aspekte, u vunë re që në fushatën zgjedhore të fundit dhe në fushatat e mëparshme. Pothuajse dy të tretat e financimeve që marrin partitë, të harxhimeve reale që bëjnë gjatë fushatës, nuk vijnë fare nga burime të ligjshme, pra nga buxheti i shtetit, por vijnë nga burime të tjera. Në Shqipëri, në politikat qeveritare shpeshherë ka ndikime dhe duken si të thuash të shprehura në formë vullneti politik, por në fakt janë vullnete dhe interesa të grupeve të caktuara. Këto duken që në diskutimet që bëhen për paketën fiskale, siç ishte rasti i vitit të kaluar, apo rasti i këtij viti. Dhe padyshim që një aspekt tjetër është edhe fakti që mjaft reforma të cilat mund të kishin pasur një term më të shpejtë në zhvillimin e tyre, frenohen jo thjesht për fenomene të mungesës së vullnetit politik, apo të apatisë dhe mosfunksionalitetit të administratës, por se sot ka interesa të caktuara dhe grupe të caktuara të interesit të cilat janë kënaqura me statusin e reformave dhe nuk kanë më interes të thellohen më tej reformat e tregut. Mund të themi që në Shqipëri fenomenet që janë shfaqur në disa vende të tjera post komuniste disa vite më parë, po evidentohen dukshëm sot. Ai fenomen që quhet kapja e shtetit, ose që mund ta themi ndryshe, krijimi i një konglomerati dominues të jetës së vendit, që është një konglomerat politiko-financiar ose politikë-biznes.

Zëri i Amerikës:/b> Zoti Lani, partia socialiste është zhytur në një krizë të thellë qoftë të brendshme, qoftë qeverisëse. A pritet që kongresi i saj ti japë zgjidhje kësaj krize?

Remzi Lani: Kriza e partisë socialiste është një krizë shumëplanëshe dhe kongresi i cili do të mbahet pas 10 ditëve sigurisht mund të zgjidhë të paktën përkohësisht atë që quhet krizë e përfaqësimit. Domethënë Partia Socialiste do të zgjedhë një kryetar, do të zgjedhë organet e veta dhe ky është një hap. Megjithatë kongresi nuk do të mund të zgjidhë krizën morale të Partisë Socialiste e cila është një infeksion mjaft i rëndë që unë nuk mendoj se mund të zgjidhet me një kongres dhe mendoj se mund të mos zgjidh, mbetet ta shohim këtë, edhe krizën qeverisëse e cila lidhet me raportin e numrave në parlament, me balancën e forcave në parlament. Ndoshta përfundimi i Kongresit do mund të zbehë pak klimën e partitokracisë që dominon sot në Shqipëri ku gazetat, publiku, të gjithë ne kemi dy vjet e gjysmë që dëgjojmë vetëm për kongrese të partisë socialiste, për mbledhje të KPD-së, për mbledhje të kryesisë, për fjalime të kryetarit e kështu me radhë. Unë e kuptoj që në një demokraci partitë janë një nga elementët themelorë të sistemit demokratik, por nuk janë gjithçka. Për fat të keq duhet të pranojmë që në Shqipëri na është imponuar një regjim partitokracist. Unë personalisht nuk gjej ndonjë lidhje midis sistemit kushtetues shqiptar dhe Kongresit të Partisë Socialiste. E vërteta është që ne po presim kongresin e Partisë Socialiste dhe për mua kjo përbën një anomali.

Zëri i Amerikës:/b> Zoti Ruli në këto kushte në të cilat ndodhet Partia Socialiste, a mund të vazhdojë ajo të qeverisë vendin pas kongresit? Pra a ekziston mundësia e kalimit të vendit në zgjedhje të parakohëshme?

Genc Ruli: Në zgjedhje të parakohëshme do të kalohet jo thjesht nga vërtetimi i faktit, që partia qeverisëse, dëshmon paaftësi, ose ka qënë e pasuksesshme në disa politika të saj, gjëra që janë vërtetuar prej vitesh. Madje unë nuk po them që ligjërimi i dy mandateve të Partisë Socialiste është bërë nga një performancë tepër e mirë politike dhe qeverisëse e saj, ajo është bërë thjesht nga fakti që opozita ende nuk ka arritur të bindi pjesën e madhe të votuesit shqiptar, që duhet bërë ndërrimi politik. Në këtë rast, po ta shohim, nuk është forca e opozitës që po çon drejt zgjedhjeve të parakohëshme, por është vetë fragmentimi dhe copëzimi i vullnetit politik që po ndodh brenda pozitës. Fakti që personazhe të Partisë Socialiste kërcënojnë grupin kundërshtar me zgjedhje të parakohëshme, do të thotë, që kjo skemë e destabilizimit dhe e prishjes së ciklit qeverisës po provokohet nga vetë pozita. Në këto rethana, mendoj që padyshim, nuk ka pse të mos shkohet në zgjedhje të parakohëshme, duke pasur gjithmonë rezervën time, të cilën mund ta ndaj me shumë analistë dhe kolegë shqiptarë, që në fakt, zgjedhjet e parakohëshme mund të ndryshojnë vërtet konfigurimet e grupit qeverisës, por në fakt sjellja e politikës shqiptare nuk është se do të kurohet me këto zgjedhje të parakohëshme. Pra politika përsëri mund të ngelet konfliktuale, përsëri mund të prodhojë destabilitet në vend të stabilitetit. //kk//

XS
SM
MD
LG