Lidhje

Në sheshin Rockefeller të New Yorkut përurohet Pema e Krishlindjeve - 2003-12-04


Dje në sheshin Rockefeller të New Yorkut u përurua Pema e Krishtlindjeve, me ndezjen e rreth 30 mijë dritave. Në këtë ceremoni morën pjesë mijëra njujorkezë dhe turistë nga e gjithë bota, që kanë shkuar për të vizituar qytetin.

Momentin para ndezjes së dritave, aktorët e serialit televiziv -The West Wing-, dolën në podium dhe thanë se ceremonia dritave e këtij viti u kushtohet ushtarëve amerikanë. -Kjo ceremoni e veçantë e ndezjes së dritave u kushtohet të gjithë ushtarëve amerikanë që kryejnë shërbimin jashtë vendit, - tha aktori Martin Sheen, i cili interpreton rolin e presidenti amerikan në dramën e transmetuar nga rrjeti televiziv NBC.

Megjithëse ishte shumë ftohtë, mijëra njerëz ishin grumbulluar në turma, prapa barrikadave të krijuara nga policia. Pema gjigande e Krishtlindjeve, me peshë 9 tonëshe dhe rreth 25 metra e lartë, ishte mbjellë 50 vjet më parë në oborrin e një shtëpie në Manchester të shtetit Connecticut. Pemën e sollën në Manhatten muajin e kaluar, nëpërmjet lumit Hudson.

Tradita e ndezjes së dritave të Pemës së Krishtlindjeve në sheshin Rockfeller filloi në vitin 1931, kur punëtorët që po e ndërtonin Qendrën Rockfeller, vendosën një pemë të vogël në mes të ndërtesave në dy prej rrugëve kryesore të New Yorkut. Pema e këtij viti, do të qëndrojë e ndezur deri më 6 janar. Pema më e lartë e vendosur ndonjëherë në Sheshin Rockfeller, ishte në vitin 1999 dhe ajo ishte rreth 33 metra e lartë.

//rd//

XS
SM
MD
LG