Lidhje

Rregulla të reja për shtetasit e huaj që vizitojnë ShBA - 2003-12-05


Duke filluar nga muaji i ardhshëm, të gjithë atyre që vijnë në Shtetet e Bashkuara me vizë do t’u merren shenjat e gishtërinjve dhe do të fotografohen sapo të arrijnë. Kjo procedurë është pjesë e një programi të zgjeruar për mbrojtjen e vendit, duke krijuar një pasqyrë më të qartë të gjysëm miliard të huajve që hyjnë çdo vit në mënyrë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Bill Strasberger është zëdhënës i Departamentit për Sigurimin Kombëtar, i cili po zgjeron programin e mëparshëm që përdorej për të ndjekur lëvizjet e të huajve që vinin nga 25 vende të Lindjes së Mesme:

“Ky është një sistem i plotë për hyrjet dhe daljet, që do të regjistrojë emrat e atyre që vijnë, arsyen e vizitës dhe kohën kur do të largohen. Më parë kemi pasur problem me kalimin e afatit të qëndrimit. Ky sistem nuk ndryshon shumë nga sistemet që zbatohen në vende të tjera,” thotë zoti Strasberger.

Këto masa janë pjesë e një sistemi të rreptë, që ka ngjallur debate të shumta, për të mbikqyrur të huajt që vijnë në Shtetet e Bashkuara, në veçanti nga një numër vendesh të caktuara:

“Atje ku veprojnë al-Kaida dhe organizata të tjera terroriste. Ky ishte hapi i parë për krijimin e një sistemi të përgjithshëm për hyrjet dhe daljet, për të cilin Kongresi e kishte dhënë mandatin që në vitin 1996. Të gjithë atyre që vijnë në këtë vend do t’u merren shenjat e të dy gishtave tregues, si dhe do të bëhet një fotografi dixhitale në rast se futen në Shtetet e Bashkuara me vizë turisti,” thotë zoti Strasberger.

Tre nga autorët e rrëmbimit të avionave më 11 shtator 2001 ndodheshin në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme, me viza të skaduara në kohën e sulmeve.

Ky program i zgjeruar për të huajt që ndodhen në vend është përdorur gjatë vitit të fundit për të ndjekur kryesisht lëvizjet e meshkujve nga Lindja e Mesme, të cilët deri pak ditë më parë duhet të regjistroheshin në mënyrë periodike, për sa kohë që ndodheshin në Shtetet e Bashkuara. Që nga muaji shtator, afro 200 mijë persona janë regjistruar. Qindra të tjerë janë deëbuar nga vendi, pjesa më e madhe pasi kishin thyer afatin e qëndrimit me vizë. Zyrtarët thonë se programi i vjetër u eliminua për t’i bërë vend sistemit të ri, i cili mbulon të gjithë ata që udhëtojnë me vizë. Zyrtarët e mbrojnë programin:

“Duam të dimë kush vjen në Shtetet e Bashkuara, ku shkojnë këta persona dhe të sigurohemi se janë larguar nga vendi,” thotë përfaqësuesi i Departamentit të Sigurimit Kombëtar.

Por plani është pritur me kritika nga grupe për të drejtat civile dhe të pakicave.

Lucas Gutentag është drejtor i të drejtave të imigracionit në Bashkimin Amerikan të Lirive Civile.

“Programi është diskriminues, pasi përqëndrohet tek persona bazuar në vendin nga janë dhe kombësinë, veçanërisht vendet myslimane, dhe nënkupton se kushdo që vjen nga këto vende përbën kërcënim për Shtetet e Bashkuara,” thotë zoti Gutentag.

Por zyrtarët amerikanë të imigracionit janë ndeshur prej kohësh me trysni, veçanërisht nga Kongresi, për të krijuar një sistem më të mirë për mbikqyrjen e të huajve, pasi futen në Shtetet e Bashkuara. Vitin e kaluar, një proces hetimor i Kongresit arriti në përfundimin se nuk mund të gjendeshin afro gjysma e 4 mijë e 100 imigrantëve të regjistruar në Shtetet e Bashkuara që kërkoheshin për t’u marrë në pyetje lidhur me sulmet terroriste të 11 shtatorit. Ende nuk dihet sesa i efektshëm do të jetë sistemi i ri në vëzhgimin e lëvizjeve të shtetasve të huaj, apo nëse do të ndikojë negativisht në numrin e vizitorëve që vijnë në Shtetet e Bashkuara, i cili ka shënuar rënie të ndjeshme pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

//ad//

XS
SM
MD
LG