Lidhje

5 veta humbin jetën nga një shpërthim në Bagdad - 2003-12-05


Shpërthimi i një bombe pranë një xhamie në Bagdad shkaktoi vdekjen e të paktën 4 irakianëve dhe të një ushtari amerikan. Shpërthimi ndodh në prag të vizitës së sekretarit amerikan të mbrojtjes Donald Rumsfeld në Irak. Bomba e aktivizuar me telekomandë shpërtheu ndërsa aty kaloi një autokolonë ushtarake amerikane dhe një autobus të vogël me udhëtarë irakianë.

Shpërthimi shkaktoi plagosjen e të paktën 15 irakianëve të tjerë dhe të dy ushtarëve amerikanë. Ndërkohë, rreth 500 irakianë organizuan një tubim në Bagdad kundër dhunës dhe shprehën mbështetje për koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

JAMES BAKER I DËRGUARI I PRESIDENTIT BUSH PËR TË ZGJIDHUR PROBLEMIN E BORXHIT TË IRAKUT

Presidenti Bush emëroi ish Sekretarin e Shtetit, James Baker, si të dërguarin e tij personal për të zgjidhur problemin e borxhit të Irakut.

Presidenti Bush tha se do t’i kërkojë zotit Baker të punojë me qeveri të vendeve të tjera, organizata ndërkombëtare dhe irakianët për të ristrukturuar dhe pakësuar borxhin irakian prej 120 miliard dollarësh.

Presidenti Bush thotë se e ardhmja e popullit irakian nuk duhet të jetë peng e barrës shumë të rëndë të borxhit që është përdorur për të pasuruar ish Presidentin Sadam Husein. Ai theksoi se borxhi rrezikon mundësitë afatgjata për përparim politik dhe ekonomik të atij vendi.

Presidenti thotë se problemi i borxhit të Irakut duhet zgjidhur në mënyrë që të mos rëndojë padrejtësisht atë që ai e cilëson si një popull në vuajtje në momentin e tij të shpresës për të ardhmen.

Forcat amerikane ndërhynë këtë vit në Irak për të përmbysur Sadam Huseinin. Tani, administrata amerikane e qeverisë atë vend në bashkëpunim me Këshillin Qeverisë irakian, për të cilin zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se i kërkoi Presidentit Bush të emrojë një përfaqësues të posaçëm për të zgjidhur problemin e borxhit.

Gjatë shërbimit në këtë post pa pagesë, zoti Baker do t’i raportojë drejtpërdrejtë presidentit Bush. Ish sekretari i shtetit është mik i vjetër i familjes Bush. Zoti Baker e përfaqësoi Presidentin gjatë sfidave ligjore në lidhje me numrimin e votave në shtetin Florida, që i siguruan atij votat e nevojshme të kolegjit elektoral për të fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2000.

//RD//

XS
SM
MD
LG