Lidhje

OKB:Terroristët e al-Kaidës të vendosur të kryejnë sulme me armë kimike dhe biologjike - 2003-12-05


Në një raport të komisionit anti-terrorist të Kombeve të Bashkuara thuhet se rreziku që vjen si rezultat i zotërimit dhe përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë nga rrjeti al-Kaida vazhdon të rritet. Komisioni i OKB-së paralajmëron se terroristët e al-Kaidës janë të vendosur të kryejnë sulme me armë kimike e biologjike dhe të vrasin mijëra njerëz. I vetmi frenim me të cilin ata përballen, theksohet në raport, është aspekti teknik tepër kompleks i përdorimit të tyre në mënyrë të përshtatshme dhe të efektshme.

Kreu i komisionit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për sanksionet, ambasadori Herald Munoz i Kilit, thotë se një numër tepër i madh organizatash bamirëse vazhdojnë të përdoren për të financuar terroristët e al-Kaidës. Ai tha gjithashtu se një numër shumë i madh vendesh nuk po zbatojnë me shpejtësinë e duhur sanksionet e vendosura nga Kombet e Bashkuara kundër al-Kaidës dhe ekstremistëve talebanë.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Adam Ereli, thotë se kjo dukuri përbën shqetësim të madh edhe për Shtetet e Bashkuara: “Ne dëshirojmë të vëmë në dukje se fatkeqësisht një numër i madh vendesh ende nuk kanë paraqitur raportet e tyre mbi grupet terroriste. Ne po punojmë me këto vende për ta ndryshuar gjendjen. Mirëpo, me këtë nuk dua të them se nuk po bëhet sa duhet nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara për të luftuar terrorizmin dhe për të bashkëpunuar në këtë drejtim”, tha zëdhënësi Ereli.

Në të vërtetë, që nga sulmet e al-Kaidës kundër Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit, më 11 shtator të vitit 2001, afro dy të tretat e ushëheqësve të njohur të rrjetit al-Kaida janë vrarë ose janë kapur. Një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara përmbysi nga pushteti në Afganistan regjimin taleban, përkrahësin e rrjetit al-Kaida. Disa udhëheqës të lartë të filialit të al-Kaidës në Azi, Xhemah Islamijah, përfshirë personat përgjegjës për shpërthimet e tetorit 2002 në ishullin Bali të Indonezisë, janë vrarë ose kapur.

Por, siç bëhet e qartë në raportin e Kombeve të Bashkuara, duhet bërë më shumë për të identifikuar terroristët e la-Kaidës, për të bllokuar financimin e tyre dhe për të parandaluar pajisjen e tyre me armë, veçanërisht me armë të shkatërrimit në masë. “Këta vrasës duhen ndalur, ka thënë Presidenti Bush, dhe ne do t’i ndalim ata”. //xh//

XS
SM
MD
LG