Lidhje

Fevziu: Nëse PS-ja nuk e zgjidh krizën e saj, zgjedhjet e parakohëshme janë të paevitueshme - 2003-12-05


Analisti nga Shqiperia Blendi Fevziu, thotë se nëse Partia Socialiste në Shqipëri nuk arrin ta zgjidhë krizën brenda saj, zgjedhjet e parakohëshme janë të paevitueshme. Zoti Fevziu, kryeredaktor i gazetes Korrieri dhe drejtues debatesh televizive, dha një intervistë për Zërin e Amerikës, mbi zhvillimet politike në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Fevziu, politika shqiptare është futur përsëri në një cikël të ri zënkash, siç ka ndodhur rëndom gjatë viteve ’90. Përse mendoni ju se politika shqiptare degjeneron në nivele kaq të ulëta me debate të këtij niveli?

Blendi Fevziu: Besoj se është pjesë e debatit të përgjithshëm politik, aq më tepër që ato që ju i quani zënkat më të fundit janë në të vërtetë debate në disa rrafshe, pra në disa drejtime. Në radhë të parë është një debat i brendshëm i Partisë Socialiste, i cili për të qenë realistë ka degjeneruar në një betejë mjaft të ashpër dhe jetike midis dy grupeve kundërshtare brenda Partisë Socialiste. Në anën tjetër kemi një debat po ashtu të ashpër dhe të tensionuar midis opozitës dhe maxhorancës, që është tensionuar gjithmonë e më tepër nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Është e vërtetë ajo që ju thoni që pjesa më e madhe e debateve politike, nisen si debate politike dhe përfundojnë në shkëmbime akuzash personale, por kam përshtypjen se kjo mënyrë e re, ky stil i ri politik, duket se ka hyrë në Shqipëri në dy-tre vitet e fundit, për arsye se u dëshmua në një moment tensionimi të madh në vitin 2001, se fjalët nuk kanë shumë vlerë në Shqipëri dhe mbas shkëmbimit të këtyre debateve, mbas shkëmbimit të këtyre akuzave, palët mund të pajtohen edhe një herë mes tyre. Kështu mund të shihni që në dy vitet e fundit protagonistët kryesorë të këtyre debateve, zotërinjtë Nano dhe Meta brenda Partisë Socialiste, apo Nano dhe Meidani brenda Partisë Socialiste, apo zotërinjtë Nano dhe Berisha në rrafshin maxhorancë-opozitë, vijojnë të kenë të njëjtin tension, por ndërkohë kanë pasur edhe mjaft periudha që mund t’i quajmë periudha të muajit të mjaltit midis tyre, pra të dashurisë reciproke midis tyre. Kështu që unë besoj që edhe akuzat e kanë hymbur vlerën e tyre, për arsye se asnjëherë nuk janë vlerësuar realisht.

Zëri i Amerikës: Në pyetjen e parë që ju bëra e kisha fjalën këtu, që edhe në vendet perëndimore ka debat, ka shkëmbime akuzash personale, por më duket se në Shqipëri debati nuk përfundon në mënyrë konstruktive.

Blendi Fevziu: E para nuk besoj që Shqipëria nuk është vend aq specifik. Specifika më e madhe e këtij vendi është ajo që unë thashë humbja në një farë mënyre e vlerës së fjalës dhe fakti që mbas shkëmbimit të akuzave jashtëzakonisht të rënda njerëzit rikthehen përsëri në marrëdhënie normale dhe pune midis tyre, gjë që ka ndodhur vazhdimisht. Kjo ngre një pikëpyetje në atë që quhet morali i politikës. Përsa i takon tensionimit unë besoj që pothuajse e gjithë politika ballkanike ka pasur të njëjtin tension, të njëjtin agresivitet, ka pasur të njëjtat përplasje dhe ka përfunduar edhe në situata më të rënda. Mund të shihni situatën që ekziston aktualisht në Kosovë, në Maqedoni, në Serbi, apo në vende të tjera rreth e rrotull. Natyrisht që jemi akoma larg vendeve si Greqia dhe Italia, që janë vende, struktura evropiane dhe të një sërë institucionesh të rëndësishme ndërkombëtare, ku ne akoma nuk bëjmë pjesë, por që janë vende që e kanë kaluar një kulturë të tillë debati në vitet ’50 deri në vitet ’60. Kështu që besoj që Shqipëria është duke ecur në një rrugë normale në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës:Le të kalojmë pak tek prognoza politike në Shqipëri. Ju ndoshta mund të na jepni ndonjë mendim se çdo të ndodhë: do të japë dorëheqjen Kryeministri Nano, apo do të kemi zgjedhje të parakohëshme?

Blendi Fevziu: E vetmja gjë që sot në Shqipëri nuk mund të thuhet me saktësi është prognoza. Të bësh prognozë në një situatë jo normale është gjithashtu anormale. Megjithatë besoj se duke ndjekur lojën e përditshme me tensionimet, uljet e ngritjet e debatit politik në Shqipëri besoj që deri në Kongresin e Partisë Socialiste nuk do të kemi ndonjë zhvillim thelbësor. Të shohim sesi do të shkojë gara midis Kryeministrit Nano dhe sfidantëve të tij, ish-presidentit Meidani dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, nësa ata do të vazhdojnë t’i qëndrojnë kësaj gare. Personalisht mendoj se Nano ka pozita më të forta brenda Partisë Socialiste dhe më shumë shanse për të fituar në Kongresin e kësaj partie. Nuk e di se çfarë lloj zgjidhjeje do të ishte fitorja e Kongresit, në betejën që Nano ka aktualisht në grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

Zëri i Amerikës: Një fitore si e Pirros?

Blendi Fevziu: Nuk është çështja tek një fitore si e Pirros. Çështja është që fitorja brenda Kongresit, brenda strukturave socialiste dhe rikonfirmimi i Nanos si kryetar i kësaj partie, nuk përmirëson situatën e tij brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku një grup prej 15 deputetësh, në bashkim edhe me Partinë Socialdemokrate etj, ka kontestuar çdo ndryshim të Nanos dhe kërkon vetëm rikompozim të qeverisë, me dorëheqjen, largimin e Nanos si kryeministër. Pra nga këto arsye them që Nano mund të rikonfirmohet si kryetar partie, por ai duhet të zgjidhë, problemin, ose plagën e Partisë Socialiste që është grupi parlamentar dhe jo Kongresi i kësaj partie. Pikërisht aty do të jetë edhe pjesa më interesante e debatit. Besoj që Nano do të tentojë ta çajë, ose ta reduktojë grupin kontestues, nga 15 t’i bëjë 11, 10 duke marrë katër-pesë figura të këtij grupi, ose duke tentuar të afrojë Partinë Social demokrate, ose një parti tjetër në mënyrë që të ribëjë numrin prej 71 votash të nevojshëm edhe për kalimin e buxhetit, ndër të tjera. Ndërkohë që besoj që kundërshtarët e tij brenda partisë do të kërkojnë të unifikohen, ta kontestojnë sa më ashpër në rast se ai do të fitojë në Kongres, atë që është gjëja më e mundshme. Pikërisht këtu situata do të bëhet më e tensionuar dhe është e vështirë të thuhet nëse Nano do të japë dorëheqjen, apo nëse Nano do të vazhdojë të qëndrojë përmes një rikompozimi etj. Këto janë çështje të makinacioneve të brendshme të Partisë Socialiste dhe në fund të fundit një vendim personal i Nanos. Kurse përsa i takon problemit të zgjedhjeve të parakohëshme, kjo ka qenë një kërkesë e opozitës, ka qenë një kërkesë e disa strukturave, jo vetëm të Partisë Demokratike por edhe të partive rreth saj. Unë besoj që nëse Partia Socialiste nuk arrin ta zgjidhë krizën e saj të brendshme, zgjedhjet e parakohëshme janë të paevitueshme. //kk//

XS
SM
MD
LG