Lidhje

Shqipëri: Fatos Nano kërkon votat e socialistëve të Tiranës - 2003-12-06


Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano u kërkoi të shtunën socialistëve të kryeqytetit që t'i japin sërish mbështetjen rikandidimit të tij për të bërë të mundur shtimin e rezultateve në qeverisjen e vendit.

Zoti Nano tha gjatë konferencës së PS-së për Tiranën se që nga viti 97 qeverisja socialiste ka shënuar arrije, por edhe është përballur me shumë mungesa e vështirësi.

"Unë, si kryetari juaj dhe si kryeministër, së bashku me anëtarësinë, kemi përgjegjësinë të nxitim të gjitha kontributet që konsolidojnë demokracinë dhe rregullin në Partinë Socialiste dhe për të ndalur abuzimin e mëtejshëm me to. Ne kemi nevojë për të gjitha kontributet komplementare që përmirësojnë programet qeverisëse, por nuk kemi nevojë për opozitë brenda nesh. Ne kemi nevojë për të konsoliduar maxhorancën tonë qeverisëse dhe jo ta hollojmë atë pa shkaqe të përligjura apo interesa të errëta", - tha zoti Nano.

Ai bëri një histori të qeverisjes së Partisë Socialiste në gjashtë vitet e fundit, duke theksuar se bashkëpunimi brenda socialistëve ishte i nevojshëm për të mbajtur pushtetin, përballë një opozite përherë e më kundërshtuese.

Në adresë të tij u drejtuan një mori kritikash nga dy kandidatët e tjerë për postin e kryetarit të PS, Rexhep Meidani dhe Edi Rama. Por diskutimi që tërhoqi vëmendjen e sallës ishte ai i ish-kryeministrit Ilir Meta, i cili akuzoi zotin Nano për ngadalësim të reformave dhe braktisje të interesave të qytetarëve.

"Nuk mund të hesht dhe nuk do të hesht, nuk mund të mos denoncoj rezultatet veçanërisht të dobëta të qeverisjes së vendit dhe të ecurisë së reformave; çka u vërejt edhe në rezultatin e papranueshëm elektoral të zgjedhjeve vendore në 12 tetor. Kjo na ka afruar shumë pranë dështimit dhe minimumit historik elektoral, kjo është rezultat i zhgënjimit masiv të elektoratit dhe të përkrahësve tanë", - tha zoti Meta.

Zoti Meta tha se deficiti buxhetor dhe shpenzimet qeveritare janë rritur, investimet e huaja janë pakësuar, ndërsa doganat kanë ndërruar në 1 vit 5 drejtorë.

PS-ja mban pas një jave kongresin dhe pak ditë më pas në prag të vitit të ri i duhet të marrë pjesë në zgjedhjet e përsëritura vendore të mbi 1/3 të kryeqytetit, për shkak të parregullsive të vërejtura nga gjykata. Jeta politike u përfshi nga tensionet këtë fundviti.

Qeveria ka afro 5 muaj pa ministër të jashtëm dhe 5 javë pa ministër rendi, ndërsa opozita ka rifilluar protestat në parlament dhe tubimet në sheshe me thirrje antiqeveritare.//kk//

XS
SM
MD
LG