Lidhje

Ekonomia amerikane shënon rritje - 2003-12-06


Rënia e vogël e papunësisë në Shtetet e Bashkuara është treguesi i fundit se ekonomia e vendit po forcohet, ndërkohë që presidenti Bush përgatitet të fillojë fushatën për t’u rizgjedhur në vitin 2004. Por vendimi i presidentit për të hequr tarifat e çelikut këtë javë mund ta dëmtojë atë në disa prej shteteve ku prodhohet çelik.

Papunësia shënoi rënie dhe në nëntor llogaritej në 5 presje 9 për qind. Ky ishte muaji i katërt radhazi që përmirësimi i ekonomisë amerikane sjell shtimin e vendeve të punës.

Pakësimi i papunësisë është një ndër treguesit, përfshirë edhe rritjen ekonomike dhe të prodhimtarisë, që tregojnë se ekonomia po forcohet me shpejtësi.

Të gjitha këto janë lajme të mira politike për presidentin Bush, i cili i vuri pa vonesë në dukje në një fjalim në Baltimorë:

“Kjo administratë ka hedhur themelet për një begati më të madhe dhe shtimin e vendeve të punës në Amerikë, në mënyrë që çdo qytetar të ketë mundësi të përmbushë ëndrrën amerikane,” tha presidenti.

Vendimi i presidentit për të hequr tarifat e çelikut mund të krijojë probleme politike. Presidenti Bush mund të humbasë përkrahjen në shtete ku prodhohet çeliku, si në Pensilvani, Ohaio, Virxhinian Perëndimore, të cilat kanë rëndësi vendimtare për rizgjedhjen e tij nëntorin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, çeliku më i lirë do të ndihmojë prodhuesit e makinave dhe pajisjeve në shtete të tjera si Miçigani, Ilinoi dhe Uiskonsin, të cilat konsiderohen si të paparashikueshme në këto zgjedhje.

Pjesa më e madhe e kandidatëve demokratë për president e kritikuan vendimin e presidentit për të hequr tarifat e çelikut. Por ulja e ritmeve të papunësisë ka bërë që disa demokratë t’i përqëndrojnë kritikat tani në deficitin buxhetor që vazhdon të rritet. Ish guvernatori i shtetit Vermont Howard Dean e vuri në dukje këtë çështje kur foli në një universitet në shtetin Nju Hampshir.

“Çdo vit huazohen gjysmë trilion dollarë. Nuk e përballojmë dot një gjë të tillë. Asnjë republikan nuk ka balancuar buxhetin në 34 vjet. Paratë që keni fituar me mundim nuk mund t’ia besojë qeverisë federale. Është më mirë të jenë në dorën e një demokrati, pasi nuk mund t’ua lësh në dorë paratë republikanëve,” tha zoti Dean.

Por me përmirësimin e ekonomisë, demokratët do të humbin një ndër çështjet kryesore në fushatën e vitit të ardhshëm. Historikisht presidentët rizgjidhen kur ekonomia është e fortë dhe shumë analistë besojnë se, nëse ekonomia vazhdon të përmirësohet, Iraku mund të shndërrohet në çështjen përcaktuese në fushatën e vitit 2004.

Tom Defrank është shefi i Redaksisë së Washingtonit për gazetën New York Daily News. Ai ishte i ftuar për një diskutim në programin e Zërit të Amerikës “Çështjet që debatohen nga shtypi.”

“Këshilltarët politikë të Shtëpisë së Bardhë shqetësohen për dy gjëra -- njëra është Iraku dhe tjetra është ekonomia. Ata po binden gjithnjë e më shumë se ekonomia nuk do ta dëmtojë presidentin. Ata janë më të shqetësuar për Irakun, megjithëse mendojnë se edhe kjo çështje do të shënojë përmirësim,” tha zoti Defrank.

Ndërkaq, disa anketa të reja të opinionit lënë të kuptohet se Howard Dean e ka forcuar kryesimin e tij ndër 8 rivalët demokratë në shtetin e rëndësishëm New Hampshire, për zgjedhjet brenda Partisë Demokrate. Dy anketa tregojnë se ai ka epërsi prej 30 përqind ndaj senatorit të Masaçusetsit, John Kerry.

Procesi i zgjedhjes së delegatëve që do të përcaktojë kandidatin e Partisë Demokrate në zgjedhje fillon më 19 janar në shtetin Aiova. Në konfenerencën e tyre në Boston në korrik 2004 demokratët do të emërojnë zyrtarisht një kandidat që do të konkurojë presidentin Bush në zgjedhjet presidenciale. //ad//

XS
SM
MD
LG