Lidhje

Gjenerali Sançez pret një shtim të akteve të dhunës gjatë 6 muajve të ardhshëm - 2003-12-07


Gjenerali i lartë amerikan në Irak, Rikardo Sançez, tha se pret një shtim të akteve të dhunës nga përkrahësit e ish udhëheqësit Sadam Husein dhe nga kryengritës të tjerë, në periudhën deri në transferimin e pushtetit në Irak vitin e ardhshëm.

Gjenerali Sançes tha se pret që kryengritësit të shtojnë sulmet kundër objektivave ekonomike dhe politike, në përpjekje për të penguar kalimin e pushtetit nga Shtetet e Bashkuara në një qeveri irakiane të përkohshme.

Një plan për përshpejtimin e kalimit të pushtetit kërkon që një qeveri e përkohshme të zgjidhet deri në maj nga irakianë të zgjedhur në një seri takimesh në mbarë vendin. Qeveria e re pritet të zgjidhet deri më 1 korrik. Duke folur me gazetarët në Bagdad, gjenerali Sançez përsëriti thirrjen e Shteteve të Bashkuara për ndihmë në gjetjen e Sadam Huseinit.

Ndërkohë, zyrtarë ushtarakë amerikanë në Irak thanë se nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës në qytetin verior të Mosulit u vra një ushtar amerikan dhe u plagosën 2 të tjerë. Një zëdhënës i ushtrisë tha se sulmi ndodhi sot ndërkohë që autokolona ushtarake po kalonte nëpër qytet.

Shpërthimi vdekjeprurës ndodhi sot në mesditë, kur autokolona ushtarake amerikane kaloi përmes qendrës së Mosulit. Dëshmitarët thonë se një shpërthim i fuqishëm shkatërroi një ndër tre makinat ushtarake të autokolonës.

Pavarësisht nga dhuna kundër trupave amerikane në Irak, komandanti kryesor ushtarak në Irak, gjeneral-togeri Ricardo Sançes tha se numri i sulmeve të përditshme kundër trupave amerikane ka rënë ndjeshëm në tre javët e fundit.

Kjo rënie, sipas gjeneralit Sançez, është rezultat i përdorimit të taktikave më agresive ushtarake për të ndjekur kryengritësit dhe për të kufizuar lëvizjet e tyre.

Por gjenerali Sançez paralajmëroi se dhuna kundër forcave të koalicionit dhe civilëve në Irak mund të shkallëzohet, ndërkohë që koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara përgatitet t’ia dorëzojë sovranitetin një qeverie të përkohshme irakiane brenda muajit qershor.

Ai tha se burimi i kërcënimit janë ata persona që kundërshtojnë tranzicionin e Irakut drejt demokracisë dhe janë të vendosur për ta sabotuar procesin me çdo mjet.

//ze//

XS
SM
MD
LG