Lidhje

KQZ përgatitet për zgjedhjet e përsëritura të fundvitit për Tiranën - 2003-12-08


Në mes të tensioneve të rritura në qarqet politike të Tiranës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po prodhon sërish fletë të reja votimi për kryeqytetin, edhe dy muaj pas zgjedhjeve vendore të tetorit.

Zëdhënësi i KQZ, Erton Sinani, tha se zgjedhjet do të përsëriten në 118 qendra votimi të Tiranës, tre ditë para ndërrimit të viteve, duke zbatuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor të Apelit. Zoti Sinani tha se KQZ i ka kërkuar OSBE të vëzhgojë procesin dhe po shqyrton mundësinë e ndërrimit të komisionerëve që shkaktuan parregullsitë.

“KQZ është në diskutim sa i përket mundësisë së ndryshimit të komisonerëve në ato qendra votimi dhe ato komisione zgjedhore në të cilat janë vërejtur mangësi teknike, të cilat edhe kanë sjellë këto defekte që sollën vendimin e Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit të Tiranës për të shpallur të pavlefshme votimet në 118 qendra votimi” - tha zoti Sinani.

Komisioni pritet të diskutojë edhe për saktësinë e listave të votuesve dhe kërkesat e opozitës për shtimin e emrave që mungojnë. Sheshi përpara KQZ është bërë një pikë e zakonshme e protestave të përkrahësve të opozitës, të cilët kërkojnë plotësimin e listave të votuesve.

Drejtues të Partisë Demokratike kanë bërë të ditur se forca e tyre politike do të marrë pjesë në zgjedhjet e përsëritura të fundvitit, dhe se nga ana tjetër duhet zgjidhur problemi i mungesës së afro 20 mijë emrave në listat e votuesve.

Edhe Partia Socialiste njoftoi pjesëmarrjen në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke i bërë thirrje qytetarëve të të votojnë kandidatin e saj. Kryesia e PS shqyrtoi materialet e mbledhjes së fundit së Komitetit të Përgjithshëm Drejtues para Kongresit.

Socialistët po përgatisin kongresin në mes të një atmosphere të tensionuar midis grupeve rivale që synojnë të arrijnë postin e kryetarit të partisë.

Kryeministri Nano ka qenë më i kritikuari në periudhën e fundit nga konkurrentët e tjerë për mungesë rezultatesh në qeverisje dhe shpërdorim të pushtetit të dyfishtë që ka në parti dhe në qeveri.

Shumica socialiste në parlament është e ndarë në të paktën dy grupime, gjë që nuk po lejon të zgjidhet kriza qeveritare me dy poste ministrore të boshatisura prej shumë javësh.//ii

XS
SM
MD
LG