Lidhje

Irak: një ushtar amerikan u vra dhe të paktën 3 të tjerë u plagosën në Mosul - 2003-12-09


Një ushtar amerikan u vra në Irak dhe të paktën 3 të tjerë u plagosën gjatë sulmeve të veçanta në qytetin verior të Mosulit.

Një zëdhënës i ushtrisë amerikane tha dje se një ushtar u vra nga persona që kaluan aty pranë me makinë. Autoritetet thanë se të paktën 3 ushtarë amerikanë u plagosën nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës në një sulm tjetër në Mosul.

Ndërkaq, në qytetin Baquba paksa në veri të Bagdadit, një polic irakian humbi jetën dje si pasojë e një shpërthimi, ndërkohë që përpiqej të çaktivizonte një bombë në anë të rrugës.

Në New York, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara lëshoi një deklaratë në të cilën dënonte sulmet e fundit kundër irakianëve dhe shtetasve të huaj si dhe kundër personelit të koalicionit në Irak.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara i bënë përsëri thirrje Iranit që të dorëzojë anëtarët e dyshuar të Al-Kaidës që mban aktualisht.

Zëdhnësi i departamentit të shtetit Richard Boucher tha dje se anëtarët e dyshuar të Al-Kaidës që mbahen aktualisht nga Irani mund të përfshijnë disa udhëheqës të lartë të rrjetit terrorist. Ai tha se është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të lejohen të takohen me këta individë.

Zëdhënësi Boucher përsëriti thirrjen e administratës së presidentit Bush drejtuar Iranit që të ekstradojë personat e dyshuar ose në Shtetet e Bashkuara ose në vendet e origjinës.

Diplomatë dhe shtypi arab njoftojnë se mes anëtarëve të dyshuar të Al-Kaidës, që mbahen nga Irani, mund të jenë, mes të tjerëve, edhe operativi numër dy i Al-kaidës, Ayman al-Zawahri, dhe djali i Osama bin Ladenit, Saad.

Gjatë një konference shtypi dje në departamentin e shtetit, zëdhënësi Boucher hodhi poshtë nocionin se po shqyrtohej mundësia e shkëmbimit të anëtarëve të Al-Kaidës, që mbahen nga Irani.

“Shtetet e Bashkuara nuk janë të angazhuara në diskutime rreth një shkëmbimi të anëtarëve të grupit Muxhahedin-e-Khalq, që mbahen nga forcat amerikane në Irak me anëtarët e Al-Kaidës, që mbahen në Iran. Shtetet e Bashkuara po marrin në pyetje anëtarë të grupit Muxhahedin-e-Khalq, që mbahen nga forcat amerikane për të përcaktuar në se mund të zhvillohen procedura të tjera ligjore.”

Gjatë ndërhyrjes ushtarake në Irak këtë vit, forcat amerikane çarmatosën anëtarë të Muxhahedin-e-Khalq, një grup i armatosur i opozitës iraniane.

//ze//

XS
SM
MD
LG