Lidhje

Nryshim i  përgjithshëm i sistemit Medicare - 2003-12-09


Të moshuarit janë ankuar për vite të tëra se Kujdesi Shëndetësor nuk paguan sa duhet për shpenzimet e tyre mjeksore, veçanërisht për koston e lartë të ilaçeve me recetë. Ata thonë se kanë punuar shumë dhe kanë paguar taksa për dekada me rradhë dhe tani shohin sesi kursimet e pensionet e tyre po tkurren si pasojë e shpenzimeve për shëndetin.

Politikanët janë përpjekur dhe kanë dështuar shumë herë për ta reformuar sistemin, por ata nuk kanë qenë në gjendje të miratonin një formulë të përballueshme nga qeveria. Më në fund, administrata e presidentit Bush ia doli mbanë që varianti i propozuar prej saj të miratohet në kongres. Kjo ishte një fitore e madhe politike për republikanët dhe Shtëpinë e Bardhë. Mirëpo, kur po e nënshkruante këtë ligj, zoti Bush e cilësoi miratimin e tij ”fitore për të moshuarit e Amerikës”.

“Me këtë ligj, ne po u japim amerikanëve më të moshuar zgjedhje më të mira dhe më shumë kontroll në kujdesin e tyre shëndetsor, në mënyrë që ata të sigurojnë atë kujdes shëndetsor modern, që meritojnë.”

Ky ligj përbën ndryshimin më të madh të sistemit të Kujdesit Shëndetësor që prej fillimit të tij në vitin 1965, me programin ambicioz të ish presidentit Lyndon Johnson. Megjithëse Medicare ka kryesisht për qëllim të ndihmojë të moshuarit, nga ky program përfitojnë edhe persona me paftësi fizike e mendore.

Çmimi i modernizimit të programit është shumë i madh - 400 miliardë dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm. Para se ta nënshkruante në ligj këtë reformë në sistemin e Kujdesit Shëndetësor në një auditor të mbushur me përkrahës të tij, presidenti Bush tha se ky çmim ia vlen të paguhet.

“Amerika ka sistemin më të mirë shëndetsor në botë dhe ne duam që edhe të moshuarit tanë të përfitojnë nga ky sistem. Amerika ka bërë një premtim, një premtim solemn për të moshuarit e saj. Ne jemi zotuar t’i ndihmojmë qytetarët tanë që të sigurojnë kujdes shëndetsor të përballueshëm në vitet e pensionit”, tha Presidenti Bush.

Kritikët thonë se reforma ka mjaft të meta. Ata thonë se ajo është shumë e kushtueshme dhe prej saj do të përfitojnë kompanitë farmaceotike, si dhe mjekët e klinikat, dhe jo qytetarët e moshuar.

Shumë demokratë në kongres, përkrahës prej kohe të programit Medicare, të themeluar para 4 dekadash nga një president demokrat, janë veçanërisht të zemëruar. Ata thonë se republikanët vendosën mbi këtë çështje dhe e miratuan projekt-ligjin duke patur parasysh zgjedhjet e vitit të ardhshëm, me shpresë se të moshuarit do të mbështesin presidentin Bush për një mandat tjetër.

Qytetarët e moshuar përbëjnë grupin e votuesve më aktivë të çdo grup-moshe në Shtetet e Bashkuara. Ata përbëjnë gjithashtu një pjesë të madhe të popullsisë në disa shtete, të cilët mund të luajnë rol vendimtar në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, përfshirë edhe Floridën, shteti ku u përcaktua përfundimisht rezultati i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000.

//ze//

XS
SM
MD
LG