Lidhje

Pollozhani: mocioni për shkarkim ka qëllime politike - 2003-12-09


Në Maqedoni, opozita maqedonase paraqiti një mocion mosbesimi për Ministrin e Arsimit Azis Pollozhani, të cilin e konsideron si të papërgjegjshëm dhe se me vendimet e tij nxit tensionet ndëretnike në vend. Nga ana e saj, Lidhja Socialdemokrate e kryeministrit Cervenkkovski e akuzoi opozitën se qëndron pas protestave që u zhvilluan sot kundër miratimit të ligjit për zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës. Sot parlamenti i Maqedonisë u mblodh për të diskutuar mocionin e mosbesimit për zotin Pollozhani, të cilin e Zëri e Amerikës e intervistoi menjëherë pas përfundimti të sesionit të Parlamentit.

Zëri i Amerikës: Zoti Pollozhani, a ishte i papritur vendimi i VMRO-DPMNE-s për të ngritur mocion mosbesimi ndaj jush dhe si iu përgjigjeni akuzave, sipas të cilave jeni i papërgjegjshëm dhe keni nxitur tensionet ndëretnike?

Aziz Pollozhani: Ajo që u prezantua sot në Parlament nga ana e përfaqësuesve të atyre që e ngritën mocionin, por që shihet në vazhdimësi tek kjo parti opozitare, deri tani, për të argumentuar mendimet e veta dhe qëndrimet e veta irracionale, rreth disa çështjeve, sidmos rreth arsimit shqip, faktikisht u pa se ata nuk i kanë të bazuara në argumente dhe fakte mocionin dhe argumentin që ato gjoja paraqesin. U pa se ata kanë qëllime politike, me qëllim që të nxehin opinionin publik dhe sidomos të rinjtë, të cilët jo rrallë kanë ditur dhe dinë t’i manipulojnë për qëllime të tilla. Është i freskët, pra, edhe për dëgjuesit tuaj, viti 1997, kur VMRO-DPMNE bëri të njëjtën gjë, me qëllim që të nxiste nxënësit dhe studentët kundër ligjit të atëhershëm për fakultetin pedagogjik. Po në atë frymë, mendoj se segmente të caktuara të politikës maqedonase, vazhdojnë me politikat antishqiptare, të cilat bien mbi kurrizin e arsimit, por për të cilat mendoj se nuk do të kenë sukses në rrethanat ekzistuese.

Aziz Pollozhani: Zoti Pollozhani, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, dukej se çështja e arsimit të lartë për shqiptarët do të zgjidhej. Por, sipas disa mjeteve të informacionit në vendin tuaj, duket se shumica e maqedonasve, e jo vetëm opozita, janë kundër zyrtarizimit të Universitetit të Tetovës. A ekziston rreziku që çështja e Universitetit të Tetovës përsëri të ashpërsojë marrëdhëniet ndëretnike dhe protestat të shkallëzohen, pra që protestat që nisën sot të vazhdojnë më tej?

Aziz Pollozhani: Ideja jonë është që me zgjidhjen e arsimit së gjuhës shqipe dhe me legalizimin e Universitetit të Tetovës, të tejkalohen tensionet etnike dhe të krijohet një ambjent racional për fillimin e arsimit mbi principet dhe standartet që janë imanente për një veprimtari të tillë. Tendenca dhe struktura të caktuara, edhe politike, të cilat kanë mbështetje, si duket edhe në disa elemente të tjerë të pandërgjegjshëm, gjithësesi janë një tendencë për të mbajtur tensionin edhe mbi këtë bazë, në mes komuniteteve, gjë që nuk është dhe mund të jetë një politikë e përgjegjshme, pra e kujtdo qoftë, në Republikën e Meqedonisë. Prandaj, mendoj se një gjë e tillë nuk duhet të ketë prespektivë.

Zëri i Amerikës: Pra, ju jeni optimist se me gjithë kundërshtimin e opozitës, ligji për zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës do të miratohet nga parlamenti nesër?

Aziz Pollozhani: Unë besoj se po.

XS
SM
MD
LG