Lidhje

Grupi Ndërkombëtar i Krizave: Raport për gjendjen në Luginën e Preshevës - 2003-12-10


Në një raport për gjendjen në Luginën e Preshevës në Serbinë Jugore, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, organizatë e pavarur ndërkombëtare që merret me parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, thotë se incidentet e fundit të dhunës në këtë rajon nënkuptojnë se paqja delikate mund të prishet në çdo kohë.

Raporti thekson megjithatë se rëndësia e këtyre incidenteve nuk duhet të zmadhohet dhe se ato nuk gëzojnë mbështetjen e popullatës. Raporti jep edhe rekomandimet përkatëse për qeverinë serbe, për komunitetin ndërkombëtar dhe për politikanët shqiptarë të rajonit.

Në raportin me titull ”Paqja e Brishtë në Serbinë Jugore”, thuhet se incidentet e përsëritura të dhunë, megjithëse të vogla dhe pa mbështetje popullore, tregojnë qartë se paqja ende nuk ka zënë rrënjë aspak. Midis shqiptarëve të atjeshëm ka një përshtypje të përgjithëshme se paqja nuk ka sjellë atë që u premtua: begatinë dhe fundin e tensioneve me forcat serbe të rendit.

Lugina e Preshevës përgjithësisht komentohet si një nga ato pak histori suksesi për zgjidhjen e konfliktit në ish Jugosllavi. Në vitin 2001, komuniteti ndërkombëtar, Natoja, Shtetet e Bashkuara dhe sidomos OSBE-ja, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Beogradit, arritën t’i japin fund me sukses kryengritjes shqiptare të armatosur në rajon.

Mirëpo, incidentet sporadike në Luginën e Preshevës vazhduan, thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Rëndësia e tyre nuk duhet të zmadhohet, siç veprohet shpesh në Beograd, thotë raporti. Duket se këto sulme ndërmerren nga shumë pak njerëz, madje jo domosdo nga shqiptarët dhe gëzojnë shumë pak mbështetje popullore midis popullatës shqiptare të Luginës së Preshevës.

Nga ana tjetër, thuhet në raport, ato flasin për pakënaqësi të popullatës. Shqiptarët në këtë zonë janë thellësisht të pakënaqur me nivelet tepër të larta të papunësisë dhe me mungesën e së ardhmes ekonomike.

Gjithashtu, disa fraksione politike shqiptare në rajon duket se janë të interesuara që ta dobësojnë kontrollin e kryetarit të bashkisë së Preshevës, Riza Halimi, mbi qeverinë vendore, thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Për më tepër, vazhdon raporti, fillimi i bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës, natyrisht që ndikon edhe mbi Luginën e Preshevës, sepse të dyja palët po dalin me kërkesa maksimale: serbët janë për një ndarje të Kosovës ndërsa shqiptarët kërkojnë të kompensohen me Luginën e Preshevës.

Paqja e papërfunduar në Luginën e Preshevës dobësohet edhe nga vazhdimi i pasigurive rreth statusit përfundimtar të Kosovës, thuhet në raport. Prandaj, komuniteti ndërkombëtar duhet ta vazhdojë angazhimin e tij duke i bërë trysni si Beogradit edhe politikanëve shqiptarë që të zbatojnë marrëveshjet midis tyre, duke e përqendruar më tepër vemendjen në zhvillimin ekonomik.

Raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave i rekomandon qeverisë serbe që të kontrollojë elementët ekstremistë brenda forcave të sigurimit dhe të mos bëjë deklarata të ekzagjeruara mbi gueriljet shqiptare.

Ai i rekomandon komunitetit ndërkombëtar që të këshillojë Beogradin, Prishtinën dhe disa politikanë nacionalistë shqiptarë se ndryshimi i kufijve me dhunë është i papranueshëm në çfarëdo rrethana, përfshirë propozimet për një ndarje të Kosovës ose të Serbisë Jugore.

Raporti rekomandon që të mos inkurajohet separatizmi, të hiqet dorë nga referenca të tilla si ”Kosova Lindore” dhe që shqiptarët të distancohen nga AKSH-ja, Armata Kombëtare Shqiptare.

Edhe rekomandimet e raportit për udhëheqjen shqiptare të Kosovës përfshijnë dënimin e AKSH-së dhe që anëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës të mos mbajnë lidhje me këtë organizatë.

Raporti rekomandon gjithashtu që shqiptarët e Luginës së Preshevës të inkurajohen për të marrë pjesë në institucionet dhe zgjedhjet serbe.//ii

XS
SM
MD
LG