Lidhje

Publikohet dokumenti i Standardeve për Kosovën - 2003-12-10


Dita e sotme në Kosovë, shënon fillimin e rrugës praktike drejt zgjidhjes së statusit përfundimtar të saj, thanë në Prishtinë, zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë. Ata i bënë këto komente gjatë ceemonisë së shpalljes së dokumentit zyrtar të “Standardeve për Kosovën”, të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëatre për t’u përmbushur para fillimit të zgjidhjes së statusit të saj politik. Sundimi i ligjit, liria e lëvizjes, kthimi i qëndrueshëm dhe të drejtat e komuniteteve e pjestarëve të tyre, zhvillimi ekonomik, te drejtat pronësore, bisedimet me Beogradin për cështje teknike dhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës, janë tetë standardet e përcaktuara, përmbushja e të cilëve është detyrë e përbashkët e Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të vetëqeverisjes në Kosovë, ndërsa mesi i vitit 2005, llogaritet si periudhë e vlerësimit të tyre.

Shefi i Misionit, Harri Holkeri, tha se, shpallja e kësaj kohe për shqyrtimin e statusit përfundimtar ka hapur një kapitull të ri dhe tash është koha që ai të shkruhet. “Është detyrë e përbashkët për ta përgatitur Kosovën për statusin përfundimtar. Tash është një kohë e përcaktuar për këtë vendim, por asgjë nuk është e pashmangshme. Ky vendim varet nga ajo që thuhet dhe bëhet në Kosovë, sepse ekziston vetëm një rrugë drejt statusit përfundimtar dhe ajo është nëpërmjet përparimit në përmbushjen e standardeve”, tha zoti Holkeri.

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova tha ndërkaq se shpallja e dokumentit për standardet, është një ngjarje me rëndësi për Kosovën dhe të ardhmen e saj. “Standardet që bashkësia ndërkombëtare i kërkon nga Kosova, kanë për qëllim vlerësimin e të arriturave të Kosovës, para vednosjes së statsuit final të Kosovës, që për ne është pavarësia, si dhe përmbushjen e normave për integrim në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në bashkësinë ndërkombëtare”, tha presidenti Rugova.

Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi tha se dokumenti është udhërrëfyes i qartë për Kosovën, institucionet e saj dhe Misionin e Kombeve të Bashkuara, duke u bërë thirrje qytetarëve që të përkrahin fuqishëm përpjekjet për përmbushjen e tyre. “Pa plotësimin e standardeve do ta kemi të vështirë të finalizojmë statusin përfundimtar të Kosovës, ashtu sic e synojmë të gjithë ne. Prandaj, kontributi i secilit kosovar në realizim të standardeve është kontribut drejt zgjidhjes së statusit të Kosovës në pajtim me vullnetin e qytetarëve të saj”, nënvizoi kryeministri Rexhepi.

Autoritetet shprehën keqardhjen e tyre për mospjesmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit serb në ceremoninë e shpaljes së dokumentit dhe refuzimin e tyre për t’u përfshirë në këtë proces, i cili sic u tha, është me rëndësi thelbësore pikërisht për këtë komunitet. Këta të fundit nuk janë pajtuar me standardet dhe posacërisht me mospërfshirjen e vërejtjeve dhe kërkesave të Beogradit lidhur me dokumentin përfundimtar.

Zyrtarët thanë se tash për tash nuk ka ndonjë mospajtim të thellë rreth dokumentit, ndërsa shefi i misionit i quajti “probleme gjuhësore” mospajtimet rreth hyrjes së dokumentit në të cilën fillimisht ishte nenvizuar se standardet duhet të jenë në pajtim përvec me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe Kornizës Kushtetuese edhe me ligjet e zbatueshme, gjë që është kundërshtuar nga përfaqësuesit politik të Kosovës.

Pak pas shpalljes zyrtare të dokumentit, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Harri Holkeri dhe kryeministri Bajram Rexhepi mbajtën takimin e parë të strukturës së përbashkët për zbatimin e standardeve, që vlerësohet edhe pjesa më e vështirë e tërë procesit. Zoti Holkeri tha se përmbushja e tyre do të bëjë që bashkësia ndërkombëtare të punojë për statusin politik të Kosovës, ndërsa dështimi do të kthente Kosovën prapa mbase për disa dhjetvjetsha të tjerë.

//rd//

XS
SM
MD
LG