Lidhje

Nesër, Kongresi i Partisë Socialiste - 2003-12-11


Delegatët e Tiranës për Kongresin e Gjashtë të Partisë Socialiste janë zgjedhur nga një proces i rregullt votimi në konferencën e kësaj dege para disa ditësh.

Kështu vendosi sot komisioni i garancive statutore në PS, pasi verifikoi procedurat dhe fletët e votimit të konferencës partiake të kryeqytetit.

Komisioni verifikoi vlefshërinë e fletëve të votimit në këtë konferencë për zgjedhjen e delegatëve, pas ankesave të disa kandidatëve që humbën në këtë votim. Një vendim të ngjashëm komisioni mori edhe për Vlorën, ku gjithashtu pati ankesa.

Rishikimi i mandateve të delegatëve të Tiranës tronditi edhe një herë tjetër atmosferën e rënduar në PS përpara kongresit, duke ngjallur spekullimet për parregullsi. Dega e Tiranës dërgon në kongres numrin më të madh të delegatëve, 54 persona, një numër me peshë në raportet e votave për zgjedhjen e kryetarit të PS.

Jo zyrtarisht mësohet se një pjesë e madhe e këtyre delegatëve janë përkrahës të ish-kryeministrit Ilir Meta dhe nuk do t’i kenë votat pro rizgjedhjes së zotit Fatos Nano. Ky i fundit ka siguruar, megjithatë një mbështetje jo të vogël nga Tirana dhe delegatë të qyteteve të tjera.

Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se llogaritjet e votave të parashikuara për tre kandidatët Fatos Nano, Rexhep Mejdani dhe Edi Rama janë megjithatë, në diferenca tepër të ngushta. Kjo është edhe arësyeja që procesi i zgjedhjes së delegatëve për në kongres mori një rëndësi kaq të madhe. Kjo është hera e parë në historinë e PS që zgjedhja e delegatëve bëhet një temë kryesore e jetës së brendshme të saj. Në kongresin e kaluar zoti Nano u rizgjodh kryetar i PS me një diferencë të ngushtë votash përballë rivalit tjetër, ish-kryeminitrit Pandeli Majko.// lk //

XS
SM
MD
LG