Lidhje

Si do të bëhet vlerësimi i standarteve për Kosovën,  intervistë me analistin Majkëll Xhexhic - 2003-12-11


Kosova po hyn në një fazë intensive të zhvillimeve politike. Dokumenti mbi standartet i botuar dje, shtron një sërë sfidash para UNMIK-ut dhe udhëheqësve shqiptarë që duhen përmbushur brenda 18 muajsh. Por si do të funksionojë procesi? Si do të bëhet vlerësimi i përparimit? Dhe kush do ta bëjë atë?

Majkëll Xhexhic i Institutit Amerikan të Paqes, është një prej specialistëve që ndihmuan në hartimin e dokumentit të standarteve. VOA: Zoti Xhexhic cila është rëndësia e dokumentit të fundit për standartet që duhet të plotësojë Kosova dhe cila është ecuria e këtij procesi?

Michael Xhexhic: Standartet që sapo u bënë publike janë të lidhura me datën kur do të bëhet vlerësimi i tyre, në mes të vitit 2005. Ato janë bazuar në standartet e shpallura nga administratori Shtainer në prill të vitit 2002, por tani ka dy elementë të rinj: e para ka të bëjë me nivelin e plotësismit të tyre dhe e dyta me treguesit që do të përdoren për të vlerësuar përparimin drejt përmbushjes së tyre. Këto dy elementë formojnë edhe bazën e planit të veprimit që do të hartohet nga UNMIK-u në bashkëpunim me institucionet e qeverisë së Kosovës.

VOA: Në mes të vitit 2005 kush do ta bëjë dhe si do të bëhet vlerësimi i përparimit, ose mungesës së përparimit, në Kosovë?

Michael Xhexhic: Ne nuk do të presim deri në mes të vitit 2005. Procesi do të ketë pak a shumë këtë ecuri: në janar, duhet të jetë gati plani i veprimit që përmenda, i cili duhet të hartohet nga UNMIK-u dhe qeveria e Kosovës. Procesi është një partneritet midis UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës, pasi ai nuk mund të plotësohet nga asnjera prej tyre veçmas. Pastaj, çdo tre muaj, plani do të rishikohet, do të bëhet vlerësimi i përparimit nga UNMIK-u dhe OKB-ja, por po ashtu, edhe nga Kryeministri dhe administratori Holkeri. Zoti Holkeri do të raportojë para Grupit të Kontaktit, çfarë është arritur, çfarë masash janë marë dhe cilat janë planet për tre mujorin e ardhshëm. Pra Grupi i Kontaktit do të jetë shumë i angazhuar në këtë proces dhe do të vëzhgojë nga afër zhvillimet.

VOA: Qeveria e Serbisë e hodhi poshtë dokumentin, duke e quajtur atë të papranueshëm. Si do të ndikojë kjo për ecurinë e procesit të plotësimit dhe vlerësimit të standarteve në Kosovë?

Michael Xhexhic: Është për të ardhur keq që ata po mbajnë këtë qendrim. Standartet janë për Kosovën dhe UNMIK-un, që të plotësojnë mandatin e misionit të OKB-së, i cili është të arrihet vetë-qeverisje thelbësore në Kosovë dhe roli i UNMIK-ut është të ndihmojë në këtë proces për të përcaktuar statusin përfundimtar politik të Kosovës. Pra dokumenti parashikon standartet që Kosovëa duhet të plotësojë. Ato nuk janë standarte për Serbinë. Pra është për të ardhur keq që ata po mbajnë qëndrim negativ. Po ashtu nga ky dokument dhe shpresoj që njerëzit do ta shikojnë atë me kujdes, përfitojnë të gjithë kosovarët dhe pa dyshim serbët që janë gjithashtu kosovarë, që të jetojnë dhe të lëvizin aty pa frikë, pa rrezik, në tolerancë e paqe dhe këto fjalë po i citoj nga dokumenti i standarteve. Pra është për t’u çuditur që Serbia nuk e pranon këtë dokument, pasi ai është në interes të të gjithë banorëve të Kosovës. Në qoftë se Serbia do të vazhdojë të kundërshtojë, ajo do të mbetet pas dhe unë nuk arrij ta kuptoj se si mund të jetë kjo në interes të tyre.

VOA: Pa dyshim që gjatë procesit të plotësimit të standarteve do të dalin pengesa dhe vështirësi të ndryshme. Një prej tyre është ekzistenca e strukturave paralele në Kosovë. A mund të realizohen standartet, për sa kohë këto struktura vazhdojnë të ekzistojnë në Kosovë?

Michael Xhexhic: Kjo ishte një çështje e vështirë edhe për ne kur po përpiqeshim të vendosnim se çfarë duhej përfshirë në dokument. Qeveria e Kosovës dhe UNMIK-u nuk kanë shumë në dorë për këtë pasi strukturat paralele mbështen nga forca përtej kufijve të Kosovës. Pra çdo tre muaj, kur të bëhet rishikimi i standarteve, i takon Grupit të Kontaktit të indentifikojë pengesat dhe në fakt, Grupi i Kontaktit është organizmi që mund të merret me faktorët që janë jashtë Kosovës dhe që pengojnë realizimin e standarteve.

VOA: A jeni optimist se standartet mund të plotësohen deri në mes të vitit 2005?

Michael Xhexhic: Mendoj se shpallja e datës së rishikimit të standarteve do të shihet si një nga datat më të rëndësishme në historinë e procesit të paqes në Kosovë. Që tani kam vënë re një gjallëri të madhe në radhët e qeverisë së Kosovës në mbështetje të dokumentit, si një bazë për të bashkëpunuar me UNMIK-un për realizimin e standarteve. Standartet pa dyshim paraqesin një sfidë të madhe dhe siç e kanë thënë edhe të tjerë, në historinë e evolucionit të qeverive të ndryshme, përfshirë edhe të qeverisë amerikane, plotësimi i tyre është një përpjekje madhore. Unë jam optimist se do të bëhet përparim i madh dhe se kur komuniteti ndërkombëtar të mblidhet për të bërë rishikimin e atyre që janë arritur gjatë 18 muajve të ardhshëm, do të shohë që me të vërtetë është arritur shumë. Nuk mund të them me siguri se kur do të fillojë procesi diplomatik për të përcaktuar statusin përfundimtar, por kjo është rruga për të shkuar drejt tij.

XS
SM
MD
LG