Lidhje

Komuniteti ndërkombëtar paralajmëron se trafiku dhe skllavëria e seksit në Ballkan janë në rritje - 2003-12-11


Një studim i ri ndërkombëtar paralajmëron se trafiku njerëzor dhe skllavëria e seksit në Evropën Lindore janë në rritje dhe se autoritetet e atjeshme nuk janë të përgatitura si duhet për ta përballuar problemin. Raporti është botuar në Vienë nga Kombet e Bashkuara, OSBE-ja dhe zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët. Studimi i ri mbulon Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Kosovën, Maqedoninë, Moldavinë, Rumaninë dhe Serbinë e Malin e Zi.

Në studim thuhet se trafikantët e qenieve njerëzore në Ballkan përdorin tani metoda më të sofistikuara ndërkohë që autoritetet nuk kanë mundur të ecin me të njëjtin hap për t’i luftuar ata.

Sipas studimit, shumica e personave të trafikuar janë gra dhe vajza të detyruara të merren me prostitucion dhe se mëse 10 përqind e tyre janë vajza nën moshën 18 vjeç.

Në studim thuhet gjithashtu se organizatat joqeveritare dhe ato ndërkombëtare janë më të pëgatitura se sa policia për t’u ardhur në ndihmë viktimave.

Në pjesën për Shqipërinë, studimi thotë se masat e kohëve të fundit të ndërmarra nga qeveria shqiptare kanë patur një ndikim shumë të madh në uljen e numrit të viktimave të trafikut që kalonin tranzit nga Shqipëria. Një arësye tjetër për këtë rënie, thuhet në studim, është se shumë nga njerëzit e emigruar e kanë legalizuar statusin e tyre jashtë dhe nuk kanë arësye pse të lëvizin me anë kanalesh ilegale.

Po kështu edhe me fitimet nga aktivitetet e paligjshme, përfshirë trafikun e personave. Sipas burimeve vendase, shumë ish trafikantë u janë kthyer tani bizneseve të tjera më fitimprurëse siç është trafiku i drogës ose pastrimi i parave me anë të ndërtimit të hoteleve dhe restoranteve.

Ekzistenca e prostitucionit në Shqipëri është pranuar vetëm këto vitet e fundit dhe tani atje ka një treg prostitucioni në rritje. Por përmasat e problemit janë të panjohura pasi nuk ka studime dhe informacione të besueshme.

Për trafikun e grave nga Shqipëria ka një numër arësyesh, thuhet në studim. Më shumë se një e treta e grave që ndodheshin në qendrën e strehimit Vatra në vitin 2002, pra 102 nga 276 gjithsej, ishin dërguar me dëshirën e tyre jashtë vendit për prostitucion. Ato e dinin qëllimin e udhëtimit të tyre. 84 gra ishin joshur me anë të martesave të rreme, 18 me anë të fejesave të rreme ndërsa 10 ishin shitur nga familjet e tyre.

Sipas orgnizatave joqeveritare, ligji i ri antitrafik, megjithëse është një hap në drejtimin e duhur, nuk ofron një zgjidhje përfundimtare për çështjen e trafikimit.

Së pari, thuhet në studim, gjykatësit dhe prokurorët nuk i kuptojnënenet e reja në Kodin Penal dhe nuk dinë t’i përdorin ato. Ligji nuk përmban një përkufizim të qartë për trafikun prandaj shpesh ngatërrohet me kontrabandën ose me kalimet e paligjshme të kufirit. Së dyti, ligji nuk përmban dispozita për konfiskimin e pasurive të vëna me anë të trafikut.

Në studim thuhet se 30 përqind e viktimave të trafikut që kthehen në Shqipëri janë fëmijë.

Megjithëse nga njëra anë ka prova se numri i fëmijëve të trafikuar nga Shqipëria ka rënë, shumë pak përparim është bërë për ndjekjen ligjore të trafikantëve.

Ndjekjet ligjore kanë qenë të paefektëshme për shkak të procedurave ligjore shumë të ngadalta si dhe për shkak të korrupsionit që thuhet se ekziston midis policisë dhe gjyqtarëve.

Në pjesën për Kosovën, studimi thotë se çështja e trafikut njerëzor atje është përgjegjësi e kompetencave të kufizuara të UNMIK-ut. Megjithatë, ndarja e përgjegjësive midis administratës lokale dhe UNMIK-ut ende nuk është e qartë.

Ndërkohë, në Kosovë nuk ka një plan veprimi për luftën kundër trafikut njerëzor.

Shqetësim, thuhet në studim është mungesa e masave për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe e objekteve të përkohëshme për strehimin e tyre.

Gjithashtu, thekson studimi, nuk ekzistojnë masa të posaçme mbrojtëse për fëmijët që janë viktimë e trafikimit. megjithëse për këtë problem shqetësimi është i madh, nuk ka një informacion dhe mirëkuptim të mjaftueshëm rreth kësaj çështjeje.//ii

XS
SM
MD
LG