Lidhje

100 vjetori i shpikjes së aeroplanit - 2003-12-11


Në vitin 1903, Kitty Hawk në Karolinën e Veriut ishte një fshat i vogël peshkatarësh në brigjet e Oqeanit Atlantik. 17 dhjetori i atij viti solli një ngjarje historike që do të ndryshonte botën. Të gjithë ata që ishin mbledhur mbi dunat e rërës në Kitty Hawk atë ditë, e kuptuan se ishin dëshmitarë të një momenti historik.

Më 17 dhjetor 1903, Wilbur dhe Orville Wright përuruan epokën e aviacionit me fluturimet e tyre të para të suksesshme me një pajisje fluturuese më të rëndë se ajri. Aeroplani njihej me emrin ”fluturuesi Wright.” Ai ishte rezultat i katër vjet kërkimesh që vëllezërit i filluan në vitin 1899. Peter JaKAb, punonjës në Muzeun Smithsonian këtu në Washington, thotë se Wilbur dhe Orville shfrytëzuan përvojën e tyre të mëparshme për bërje biçikletash: “Një ndër çështjet më kritike që kuptuan vëllezërit Wright ishte rëndësia e kontrollit dhe balancimit të aeroplanit. Edhe biçikleta është një mjet krejt i paqëndrueshëm, por plotësisht e kontrollueshme”.

Vëllezërit Wright ishin rritur në shtetin Ohio. Ata nuk kishin bërë arsim teknik, por ata kishin një instinkt të natyrshëm për shpikje. “Ata e kishin kuptuar se aeroplani nuk ishte një shpikje e vetme, por një kompleks shpikjesh që duhet të funksiononin bashkarisht. Ai duhet të kishte krahë të forta, një sistem të mirë shkëputjeje dhe kontrolli. Edhe piloti ishte pjesë e sistemit”.

Në vitet 1880 shpikësit evropianë kishin bërë eksperimente fluturimi me mjete që mbahen nga rrymat e erës. Vëllezërit Wright filluan të studiojnë seriozisht fluturimin pas rrëzimit të shpikësit gjerman Otto Lilienthal. Wilbur dhe Orville përdorën studimet e tij si bazë për krijimin e aeroplanit. Në vitin 1903 dukej se ishin zgjidhur problemet ekzistuese dhe në vjeshtë ata shkuan në Kitty Hawk ku erërat ishin shumë të volitshme për ngritjen e aeroplanit. Në dhjetor të atij viti ata ishin gati për fluturimin e parë. Fluturuesi Wright ishte ndërtuar me dru dhe pëlhurë pambuku dhe vihej në lëvizje nga një motor i vogël me karburant me 12 kuaj fuqi. “Më 17 dhjetor ata ndërmorën fluturimin e tyre të parë historik. Ai zgjati vetëm 12 sekonda për një trajektore afro 40 metra. Po atë ditë ata bënë edhe 3 fluturime të tjera. I fundit ishte më i rëndësishmi. Ai zgjati 59 sekonda dhe përshkoi një distancë mbi 250 metra. Kjo provon se aeroplani po lëvizte me energjinë që prodhonte vetë dhe se ky ishte një fluturim plotësisht i kontrolluar”.

Kur u përhap lajmi për fluturimin e tyre të parë, publiku u bë shumë kureshtar. Në vitin 1908 vëllezërit shkuan në Francë për të demonstruar shpikjen e tyre. Një dekadë më pas avioni i tyre u vendos në Muzeun e Shkencës në Londër. Ai u kthye në Shtetet e Bashkuara në vitin 1948 dhe ende ndodhet në muzeun e aeronautikës në Washington.

Për të përkujtuar 100 vjetorin e kësaj arritjeje të vëllezërve Wright janë planifikuar një numër veprimtarish. Një prej tyre është rikrijimi i fluturimit të parë. Peter Jakab thotë se shpikja e tyre ka lënë gjurmë të rralla në histori: “Nuk duhet të harrojmë se vetëm në një periudhë 66 vjeçare, nga viti 1903 deri në 1969 kur njeriu i parë shkeli në Hënë, njeriu arriti të shkojë në një botë tjetër. Pra kjo teknologji evoloi brenda një periudhe mjaft të shkurtër. Nuk është thjeshtë aftësia për të fluturuar, por edhe teknologjia e komunikimit, botëkuptimi ynë, ndikimi kulturor që ka përshkimi i distancave brenda një kohe aq të shkurtër. Pra aeroplani nuk është thjesht një triumf teknik, por ka ndryshuar me të vërtetë botën”.//kk//

XS
SM
MD
LG