Lidhje

Telefon celular me aparat fotografik dixhital - 2003-12-12


Vitin e kaluar, prodhuesit e celularëve paraqitën një shpikje të re, telefona celularë që përfshijnë një aparat fotografik dixhital. Më shumë se 80 milion telefona të tillë janë shitur deri tani në mbarë botën, duke nxitur debatin mbi ruajtjen e jetës private.

Kritikët e këtyre pajisjeve thonë se njerëzit duhet të shqetësohen për një numër arsyesh. Së pari, aparatet fotografike të vendosura në celularë janë të vogla, gjë që u jep mundësi zotëruesve të telefonave të bëjnë fotografi edhe në vende ku një gjë e tillë nuk lejohet.

Në Japoni, për shembull, klientët fotografojnë faqe revistash dhe nuk e blejnë revistën, pasi mund të shkojnë në shtëpi dhe t’i transferojnë artikujt nga telefoni në kompiuter. Kurse këtu në Shtetet e Bashkuara, në palestra ka pasur probleme kur disa individë kanë fotografuar frekuentuesit e palestrës kur po bënin dush ose po ndërroheshin.

YMCA, një ndër rrjetet më me emër në fushën e sportit dhe shëndetit, e ka ndaluar përdorimin e celularëve me aparat fotografik. Deri tani, organizatat private janë të vetmet që po ndërmarrin hapa për ndalimin e këtyre pajisjeve.

Por nëse miratohet në Kongres propozimi që ka paraqitur ligjvënësi Michael Oxley, përdorimi i këtyre aparateve fotografike mund të kufizohet në të gjitha ndërtesat qeveritare, ku përfshihen parqet kombëtare, varrezat edhe vetë ndërtesa e Kongresit. Tim Johnson është zëdhënës i përfaqësuesit Oxley.

Ai thotë se nuk është vetëm madhësia e aparatit fotografik që i shqetëson ligjvënësit. Vetë natyra dixhitale e fotografive krijon mundësi që ato të përfapen me lehtësi. “Kongresi po përpiqet t’ia përshtatë kohës ligjet për mbrojtjen e jetës private, të cilët u shkruan kur njerëzit bënin fotografi tradicionale, dhe vazhdojnë të zbatohen në periudhën e fotografisë dixhitale” thotë zoti Johnson.

Ligji nuk do të ndalonte plotësisht telefonat celularë me aparatë fotografikë në ndërtesat federale, por do të ndalonte përdorimin e këtyre pajisjeve për të fotografuar ndonjë person në rrethana kompromentuese. Tim Johnson thotë se ligjvënësi Oxley dhe përkrahësit e tij shpresojnë që ligji federal do të shërbejë si model për shtetet dhe komunat.

Por përfaqësuesit e kompanive prodhuese të këtyre telefonave nuk mendojnë se problemi është aq shqetësues. Rich Blasi është zëdhënës i kompanisë AT&T Wireless. “Nuk mendojmë se aktualisht është e nevojshme të vendosen masa kufizuese shtesë mbi telefonat celularë. Kontrolli i këtyre pajisjeve në mjedise si palestrat, thotë zoti Blasi, mund të realizohet me masa për mjedise të ciaktuara.

Prodhuesit e telefonave mund të mos i shikojnë si të nevojshme këto masa, por Kongresi mendon ndryshe. Ligji për kufizimin e përdorimit të tyre është miratuar nga Senati dhe Tim Johnson thotë se përfaqësuesi Michael Oxlit parashikon që projekt-ligji të miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve para se të fillojë sesioni i ri i Kongresit në janar.//xh//

XS
SM
MD
LG