Lidhje

Reklamë apo Lajm? - 2003-12-12


Amerikanët nuk paguajnë për pjesën më të madhe të programeve në televizion. Kompanitë që bëjnë reklama në televizion paguajnë shuma të mëdha kur produktet e tyre reklamohen gjatë emisioneve më të ndjekura.

Disa përfaqësues kompanish paguajnë për t’u intervistuar nga personalitete televizive dhe ndonjëherë këto intervista zgjasin deri në gjysmë ore. Komisioni federal i komunikimeve po shqyrton ankesat se stacione televizive në Jackson të Mississipit dhe në Tampa të Floridës, i kanë paraqitur këto intervista për cilat është paguar, sikur kanë vlerë gazetareske.

Çdo mëngjes kanali WFLA në Tampa transmeton emisionin “Daytime”. Një ditë, drejtuesi i emisionit kishte ftuar për një intervistë dy mjekë të një programi shëndetësor për të moshuarit, për të sqaruar të mirat e këtij programi. Intervista që zgjati pesë minuta ishte në fakt një reklamë e paguar.

Megjithëse nuk dihet sesa ka paguar programi shëndetësor për intervistën, kompanitë në përgjithësi kanë paguar për intervista të tilla rreth 2500 dollarë. Por nëse teleshikuesit nuk i kanë parë titrat në fund të emisionit, ku segmentet e paguara të emisionit përmendeshin për dy sekonda, ata nuk mund ta dinin që bëhej fjalë për një reklamë.

Drejtori i Përgjithshëm i stacionit, Eric Land në një intervistë për një radio bëri një dallim mes emisionit “Daytime” dhe programeve të lajmeve. “Kur teleshikuesit shohin emisionin ‘Daytime’ ata e dinë me saktësi se çfarë transmetohet aty. Është një program zbavitës me segmente ku bëhen reklama. Është shumë e qartë”, thotë zoti Land.

Por Komisioni Federal i Komunikimeve, duke marrë shkas nga ankesat e teleshikuesve dhe ligjvënësve ka filluar të shqyrtojë praktika të tilla. Kështu që, stacioni televiziv WFLA para çdo interviste të tillë ka shtuar një prezantim që bën të qartë se kush e sponsorizon atë.

Por edhe një zgjidhje e tillë është shumë e paqartë, sipas Al Tompkinsit, ish drejtor lajmesh në televizion, që tani bën pjesë në Institutin Poynter një qendër kualifikimi për gazetarët.

Zoti Tompkins, duke cituar sondazhet e një organizate, thotë se 80 për qind e teleshikuesve beson se reklamuesit kanë ndikim mbi përmbajtjen e lajmeve. Ai thotë se televizionet dhe radiot duhet ta mbrojnë besueshmërinë dhe jo ta rrezikojnë atë.

Por televizioni nuk është i vetmi mjet informimi që po krijon paqartësi mbi faktin se ku mbaron lajmi dhe ku fillon reklama. Një gjë e tillë ndodh me radiot.

Për të ndihmuar televizionet dhe radiot që të balancojnë përmbajtjen e emisioneve, shoqata e drejtorëve të lajmeve hartoi një rregullore në vitin 2002, ku mes të tjerash përcaktohet se “përmbajtja duhet të mbështetet në meritat gazetareske dhe jo vetëm të jetë një mjet për reklamë”.//xh//

XS
SM
MD
LG