Lidhje

Richard Holbrooke: 8 vjet pas Dejtonit - 2003-12-12


Para 8 vjetësh u nënshkrua marrëveshja e Daytonit, e cila i dha fund gjakderdhjes më të rëndë në Evropë që prej luftës së dytë botërore. Në materialin që vijon, Richard Holbrooke, krye-arkitekti i marrëveshjes së Daytonit dhe ish ambasador amerikan në Kombet e Bashkuara, bën disa komente rreth gjendjes në Ballkan, veçanërisht në Bosnje dhe në Kosovë.

Gjatë luftës në Bosnje, Richard Holbrooke shpesh i referohej reagimit së dobët amerikan dhe evropian ndaj krizës, si dështimi më i madh kolektiv i Perëndimit që prej viteve 30-të. Por më në fund ai i bindi presidentët e Sërbisë, Kroacisë dhe Bosnjes që të merrnin pjesë në bisedimet e Daytonit, ku u arrit marrëveshja, e cila i dha fund masakrës.

Por 8 vjet më vonë, megjithëse në Bosnje nuk ka pasur luftë, paqja nuk është aq e qendrueshme sa të justifikonte një tërheqje të trupave të Natos. Sidoqoftë, Richard Holbrooke, i cili kohët e fundit foli këtu në Washington në një takim të Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se në përgjithësi nuk është i zhgënjyer nga rezultatet e bisedimeve të paqes, që u mbajtën në Dayton të Ohajos.

“Ne ishim përfshirë në një përpjekje të ethshme për t’i dhënë fund luftës. Dhe ne e arritëm këtë objektiv. Sot, pas 8 vjetësh, as edhe një ushtar i NATO-s nuk është vrarë. I njoh më së miri difektet e marrëveshjes, por mes marrëveshjeve të tjera të çerek shekullit të fundit, Kosova, ngjarjet në Afganistan dhe katastrofa në Irak, marrëveshja e Daytonit arriti objektivat tona strategjike. Dështimi ynë më i madh nuk është mos kapja e Radovan Karaxhiçit dhe Ratko Mlladiçit, por mungesa e stabilitetit si pasojë e mos kapjes së tyre.”

Ambasadori Holbrooke e cilëson si shumë mbresëlënës kryeqytetin boshnjak Sarajevë, i cili ishte i rrethuar gjatë pjesës më të madhe të luftës. Gjëja më pozitive e arritur në Bosnje, thotë ai, është se lufta nuk do të rifillojë, megjithatë, ai paralajmëroi rreth një largimi të parakohshëm të trupave amerikane.

Por gjendja në Kosovë është shumë më pak premtuese se sa në Bosnje. Sipas ambasadorit Holbrooke në Kosovë kemi të bëjmë me dy aspekte shumë të gabuara.

“E para është se në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ky i fundit duhej t’i transferonte “autonomi të madhe” popullatës lokale, veçanërisht shqiptarëve, por ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Dhe si për ironi, ambasadori Bremer po përpiqet të transferojë më shumë dhe më shpejt autoritet tek irakianët vetëm pas 5 muajsh në mes të luftës se sa Kombet e Bashkuara kanë transferuar autoritet tek shqiptarët e Kosovës. Këtë unë nuk e kuptoj. Së dyti, 4 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ne kemi zhvilluar vetëm një takim midis shqiptarëve dhe sërbëve; një takim që zgjati 2 orë dhe u zhvillua në Vienë e që ishte katastrofë. Teoria e Kombeve të Bashkuara është se gjërat do të përmirësohen gjatë 18 muajve të ardhshëm. Shqetësimi im është se pikërisht e kundërta do të ndodhë. Mungesa e përparimit drejt një statusi përfundimtar të pranueshëm nga të dyja palët, do të bëjë që si shqiptarët ashtu edhe sërbët të polarizohen. Në se trupat amerikane, e madje edhe ato evropiane, largohen nga Bosnja, gjendja do të përparojë. Në se trupat e NATO-s largohen nga Kosova, brënda 48 orësh, ne do të ndodheshim përballë gjakderdhjes më të madhe në historinë moderne. Përfundimi kryesor që mund të nxirret nga kjo është se, megjithëse ne vazhdojmë të tërheqim trupa nga Bosnja, ne nuk mund të tërhiqemi nga Kosova. Ne jemi atje të bllokuar sepse në se nuk arrihet një marrëveshje e pranueshme si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi, trupat nuk mund të tërhiqen nga Kosova.”

Kohët e fundit, ambasadori Holbrooke shkoi në Ballkan me ish përfaqësuesin e lartë të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernard Kushner. Ai tha se bisedoi me shumë zyrtarë sërbë rreth bllokimit të gjendjes në Kosovë.

“Kur shkova në Beograd me Bernardin u thashë sërbëve se atyre u duhet të bëjnë një zgjedhje historike. Ata duhet të zgjedhin midis Kosovës dhe Evropës. Në se duan të integrohen në Bashkimin Evropian, ata duhet ta kuptojnë se këtë nuk mund ta bëjnë deri sa të zgjidhet statusi i Kosovës. Në se zgjedhin Kosovën, ata humbasin dyfish sepse Kosovën ata e kanë të humbur. Këtë e pranojnë edhe vetë sërbët në biseda private, edhe sërbët konservatorë. Madje ata kanë një mënyrë për ta shpjeguar humbjen e Kosovës. “Millosheviçi e humbi Kosovën për ne,” thonë ata. Nga ana tjetër, sërbët kanë dy shqetësime të ligjshme: sigurinë fizike dhe të drejtat civile të pakicës në Kosovë si dhe monumentet shumë të rëndësishme kulturore dhe fetare.”

Një prej arsyeve që përsëritet më shpesh për mos zgjidhjen e statusit të Kosovës është ndikimi negativ i tij ndaj entiteteve të tjera në rajon, por ambasadori Holbrooke nuk është dakord me këtë arsyetim. Bosnja për shembull, thotë ai, nuk do të shpërbëhej në se Kosova fitonte pavarësinë.

Richard Holbrooke, krye-arkitekti i marrëveshjeve të Daytonit të arritura në vitin 1995, ka reputacionin e një njeriu që flet hapur. Kohët e fundit, ai foli në Washington rreth sfidave të sotme në Ballkan dhe veçanërisht rreth nevojës për një zgjidhje në Kosovë, e cila, sipas tij, kërkon hapa më të guximshme nga ana e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG