Lidhje

Agjencitë humanitare përballë kërcënimeve terroriste - 2003-12-13


Shpërthimi i fundit i dhunës ndaj personelit të Kombeve të Bashkuara në Irak dhe Afganistan po i detyron Kombet e Bashkuara të shqyrtojnë në mënyrë kritike veprimtarinë e tyre dhe imazhin që krijojnë tek të tjerët. Që pas themelimit të kësaj organizate në vitin 1945, ajo i ka konsideruar misionet e saj si humanitare dhe ka menduar se flamuri i kaltërt do të shërbente si mburojë. Por pas 19 gushtit dhe sulmeve të fundit terroriste ndaj punonjësve ndërkombëtarë të ndihmave, rregullat papritur kanë ndryshuar. OKB-ja po përpiqet t’i përshtatet realitetit të ri, në të cilin punonjësit e saj gjithnjë e më shpesh po shikohen jo si humanitarë, por si objekt sulmesh:

Personeli i Kombeve të Bashkuara po ndjehet nën trysni. Gjatë muajve të fundit afro 20 pjesëtarë të tij janë vrarë në detyrë. Personeli i huaj i Kombeve të Bashkuara mori urdhër të largohet nga Bagdati dhe ende nuk është kthyer, që pas sulmeve me bomba ndaj selisë së OKB-së atje, në njërin prej të cilëve gjeti vdekjen i dërguari i posaçëm në Irak Sergio Vieira de Mello.

Muajin e kaluar një shtetase franceze që punonte për Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët në Afganistan u qëllua me armë zjarri kur po lëvizte me një makinë që kishte shenjat dalluese të OKB-së.

Nën-Sekretari Jan Egeland tha në një takim për mbrojtjen e civilëve në konflikte të armatosura këtë javë se këto vrasje kanë theksuar një të vërtetë të pakëndshme: ka përfunduar epoka kur Kombet e Bashkuara mund të vepronin pa frikë:

“Gjatë muajve të fundit kemi vërejtur çka mund ta përshkruaj vetëm si vrasjen e humanitarëve të një spektri të gjerë: të Kombeve të Bashkuara, Kryqit të Kuq dhe Gjysmë-Hënës së Kuqe dhe organizatave jo-qeveritare. Këto sulme të qëllimta ndaj personelit humanitar e ulin ndjeshëm mundësinë për të ndihmuar civilët në zonat e konfliktit si dhe hapësirën humanitare që duhet për të ofruar ndihmë,” tha zoti Egeland.

Një ditë pas komenteve të zotit Egeland, OKB-ja zhvilloi takimin e saj vjetor mbi sigurinë e personelit. Ndër pjesëmarrësit në diskutim ishte Salim Lone, zëdhënës i operacioneve të Kombeve të Bashkuara në Irak:

“Ka rëndësi jetike të kuptojmë çfarë ka ndodhur në këtë botë që i ka bërë njerëzit kaq fanatikë sa të kryejnë sulme kundër vetë atyre që po përpiqen t’i ndihmojnë,” tha zoti Lone.

Ai kujton se që ditën e parë të ardhjes në Irak e kishte çuditur niveli i hasmërisë që qytetarët e thjeshtë ndjenin ndaj Kombeve të Bashkuara:

“Ishte deri diku e kuptueshme si rrjedhojë e sanksioneve disavjeçare, e zonës së ndalim-fluturimeve që lidhen me Kombet e Bashkuara, si dhe inspektimet që ishin shumë poshtëruese. Por mbi të gjitha ndjenjat e kishin zanafillën në Luftën e parë të Gjirit, kur thanë ‘përse kur pushtuam ne Kuvajtin na ndëshkuan kaq rreptë, kurse pushtimi izraelit vazhdon në shumë vende më se një çerek shekulli më pas,” tha zoti Lone.

Ai paralajmëroi se organizatat humanitare duhet të bëjnë çdo përpjekje në zonat e konfliktit që të mos shihen si vegla të fuqive të mëdha.

Një tjetër pjesëmarrës në diskutim, Stephen Johnson, tha se siguria paraqet një sfidë të vështirë, pasi Kombet e Bashkuara nuk duan të shndërrohen në kështjellë, por nga ana tjetër duhet të tregohen seriozë në përpjekjet për mbrojtjen e punonjësve të tyre.

Krijimi i baraspeshës ndërmjet këtyre përpjekjeve do të jetë temë debatesh në të ardhmen. Një grup pune i zgjedhur nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan do të vlerësojë shkaqet për problemet e sigurisë në Bagdat në një raport që duhet të paraqitet në mes të janarit. Pritet që raporti të bëhet nxitje për një riorganizimi të plotë të sistemit të sigurisë së OKB-së.

Ka gjasa që punonjësit e Kombeve të Bashkuara të mos gëzojnë më lirinë e lëvizjes që kanë pasur deri tani. Bota ka ndryshuar dhe agjencitë humanitare kudo po detyrohen t’u përshtaten këtyre ndryshimeve ose të vënë në rrezik jetët e punonjësve, të kërcënuar nga vetë njerëzit që po përpiqen të ndihmojnë.

//ad//

XS
SM
MD
LG