Lidhje

Muze i ri i aviacionit - 2003-12-15


Vetëm pak ditë para 100 vjetorit të fluturimit të famshëm të vëllezërve Wright në Kitty Hawk të Karolinës së Veriut, Instituti Smithsonian bëri hapjen e muzeut të tij më të ri i cili i dedikohet historisë së aviacionit dhe të arriturave të tij gjatë viteve.

Nga lartësitë e qiellit, astronauti Michael Foale dhe kosmonauti rus Aleksander Kaleri numëruan sekondat në një stimulim të fluturimit të Vëllëzërve Wright. Duke dërguar përshëndetjet e tyre me anë të videos, ekipi dyanëtarësh në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, tha se fluturimi i vëllëzërve Wright para 100 vjetësh hapi një rrugë të re të pafund. Dhe pikërisht kësaj rruge të pafund i dedikohet muzeu më i ri i institutit Smithsonian i quajtur qendra Udwar-Hazy.

Aktori John Travolta, një pilot amator i cili mbajti një fjalim në ceremoninë e hapjes tha se përshëndetjet e ekipit nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës bërë atyre që fluturuan për të parën herë, ishte një eksperiencë e papërshkrueshme.

"Ishte momenti kur ata po numëronin sekondat para nisjes së fluturimit të simuluar të vëllëzërve Wright kur unë nuk mbajta do lotët. Ky ishte përparimi më i madh në historinë e aviacionit dhe të mund të lidhesh me momentin e parë të historisë së fluturimit, për mua është shumë emocionale.” tha zoti Travolta.

Qendra Udwar-Hazy u hap sot për publikun. Muzeu i Hapësirës së Institutit Smithsonian ka për detyrë mbledhjen, ruajtjen dhe mirembajtjen e materialeve të fluturimit që kanë një domethënie historike.Duke folur në ceremoninë e hapjes, zëvëndës presidenti Dick Cheney i cili gjithashtu është në bordin e këtij instituti tha se qendra jo vetëm se prezanton arritjet në fushën e aviacionit por edhe mundësitë që shtrohen përpara.

” Kjo paraqitje këtu shënon një nga arritjet më të mëdha të eksperiencës njerëzore. Kur shikojmë disa nga këta aeroplanë të parë me dy ulëse apo anijen e parë kozmike, ne shohim punën e një përparimi teknologjik. Por këtu ne shohim shumë më tepër. Të gjitha këto tregojnë imagjinatën, inteligjencën dhe dëshirën e atyre të cilët i konstruktuan ato.”

Qendra Udwar- Hazy në të vërtetë tregon esencën e fluturimit siç e njohim sot. Edhe një Boeing i vitit 1938 zgjon shumë kërshëri. Ky aeroplan kishte 33 ulëse, mund të fluturonte vetëm pak me shume se 2400 metra nga toka dhe është një nga aeroplanët e parë i cili ofronte një kabinë me ajër të kontrolluar. Duke pare këtë aeroplan, vizitori David Esterson thotë se i kujtohet një fluturim i tij me një aeroplan të tillë.

” Unë fluturova me një Boeing të tillë i cili ishte gjithashtu një Boeing bombardues dhe vendi ku vendoseshin bombat ishte kthyer në një bar për pasagjerët ku mund të kishte pije të ndryshme. Mendoj se ishin rreth 82 udhëtarë në atë fluturim dhe fluturuam nga qyteti Prestwick i Skocise. Ndonjëherë ndaleshim në Islandë e ndonjëherë në Newfoundland sepse aeroplani nuk mund të shkonte përtej Atlantikut pa u ndalur.”

Në mes të aeroplanëve të ekspozuar në këtë muze është edhe aeroplani supersonik francez, Concorde. Me një hapësirë prej 15 mijë metrash katrorë, muzeu ka akoma vend për shumë raritete të eksplorimit hapësinor, siç është për shembull anija kozmike Enterprise apo aeroplanë të luftës si Enola Gay i cili hodhi bombën atomike në gusht të vitit 1945. Ndër të tjera vizitorët mund të shohin edhe gjëra të tilla humoristike si përpjekjet për ndërtimin e një aeroplani në vitin 1930 i cili mund të ndërtohej me një kuti veglash.

Edhe pse muzeu i ri ka rreth 80 aeroplanë, në të ardhmen eventualisht do të ketë rreth 200. Këtu ndodhet gjithashtu teatri IMAX si dhe një pikëvështrimi nga ku mund të shihen me një sy të mprehtë zogjtë fluturues metalikë.

//rd//

XS
SM
MD
LG