Lidhje

Gjenerali Klark dëshmon për të dytën ditë në Hagë - 2003-12-16


Ish komandanti i Natos, gjenerali Wesley Clark tha se gjyqi për krime lufte ndaj ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç tregon se udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Gjenerali Klark tha sot se ky gjyq po krijion një precedent të ri dhe do të mbyllë një kapitull të errët të historisë së Evropës. Gjenerali Klark i bëri këto komente sot në ditën e dytë të dëshmive që dha në Hagë. Gjenerali Klark tha se asnjëherë në histori, komandanti i një ushtrie nuk e ka njohur kaq mirë kundërshtarin e tij. Për 4 vjet, në vitet ’90 Gjenerali Klark ka zhvilluar takime të shumta me ish presidentin Millosheviç, që në total kanë zgjatur rreth 100 orë. Gjenerali Klark është takuar me të fillimisht si anëtar i delegacionit amerikan që po ndërmjetësonte për paqen në Ballkan dhe më pas si komandant i Natos, para se të fillonte fushata e bombardimeve.

Millosheviçi që pashë sot, tha gjenerali Klark nuk ka ndryshuar aspak nga Millosheviçi i atyre ditëve. “Nuk pash asnjë ndryshim në qëndrimin, në kokëfortësinë e njeriut që për mua është përgjegjësi për masakrat dhe viktimat e luftrave në Ballkan.”

Gjenerali Klark nuk dha hollësi nga dëshmia e tij duke thënë vetëm se ajo u përqëndrua në përgjegjësinë e Sllobodan Millosheviçit në dhënien e urdhërave dhe në njohuritë që ai kishte paraprakisht për ngjarjet. Këtu përfshihet edhe masakra e Srebrenicës në vitin 1995.

Gjenerali Klark tha se ai foli për gjendjen mendore të Millosheviçit, për stilin e tij të drejtimit dhe për mënyrën se si ai hidhej nga diplomacia në luftë dhe anasjelltas. Dëshmia e Gjeneralit Klark, që ishte me dyer të mbyllura nuk do të bëhet publike deri të premten, duke i dhënë kohë adminsitratës amerikane ta rishikojë atë dhe të heqë ato pjesë që mund të dëmtojnë sigurimin kombëtar amerikan.

Millosheviçi i cili po mbron veten në gjyq, në rolin e avokatit mbrojtës, e mori sot ne pyetje gjeneralin Klark. Gjenerali Klark tha se kjo ishte një shfaqje tipike e Millosheviçit, pompoze, jashtë konteksit, e bazuar në aspekte personale dhe jo shumë e efektshme. Megjithatë gjenerali Klark tha se dalja e tij si dëshmitar ishte një kënaqësi për të, pasi pa njeriun, që ai beson se është përgjegjës për luftrat, duke u vënë nga gjykata para përgjegjësisë për veprat e tij.

/rd//

XS
SM
MD
LG