Lidhje

OSBE bën thirrje për rregull gjatë zgjedhjeve të përsëritura vendore në Tiranë - 2003-12-16


Kryetari i Misionit ndërkombëtar të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR, ambasador Robert Barry, u bëri sot thirrje thirrje forcave politike shqiptare të angazhohen për të mbajtur zgjedhje sa më profesionale në 28 dhjetor gjatë përsëritjes së tyre në Tiranë. Ambasadori Barry tha në një konferencë shtypi se kjo është shumë e rëndësishme për të përmbyllur procesin zgjedhor. “Do të ishte në dëm të votuesve shqiptarë nëse do të kishin përsëri zgjedhje të zgjatura, të fragmentuara dhe konfliktuale. Kjo do të ishte një përsëritje e parregullsive të zgjedhjeve të vitit 2001 dhe e raporteve ndërkombëtare për to” - tha zoti Barry.

Ambasadori Barry tha se OSBE e mbështet idenë për njoftime individuale të votuesve mbi qendrat e votimit, sepse kjo do të zgjidhte rrëmujën që u pa gjatë zgjedhjeve. “Por ne nuk e nxitim ndryshimin në sasi të mëdha të listave të votuesve, përderisa afati i ndryshimit të listave kë kaluar qysh para 12 tetorit” - theksoi ai.

Në të njëtën kohë edhe Presidenti Alfred Moisiu, u takua sot me përfaqësues të KQZ, komisionit zgjedhor të Tiranës dhe të partive politike që kanë komisionerë, gjykatës së kryeqytetit dhe OSBE. Zoti Moisiu, kërkoi që në zgjedhjet e 28 dhjetorit të mos përsëriten më problemet e regjistruara më 12 tetor. Presidenti kërkoi respektimin e të drejtës së votës, respektimin e ligjit nga komisionerët.

Ndërkaq PS njoftoi zyrtarisht rezultatet e votimit të kongresit për të zgjedhur anëtarët e Komitetit të ri Drejtues. Sekretari i përgjithshëm i PS, Gramoz Ruci tha se KPD e re do të diskutojë shpejt për ndryshimet në qeveri. “Pas konstituimit të KPD, zgjedhjes së kryesisë së partisë dhe sekretarëve, është detyrë e këtyre institucioneve që do t’i japin përgjigje sa më të shpejtë zgjidhjes së problemit të plotësimit të vendeve vacant apo ndryshimeve të mundshme në qeveri” - tha zoti Ruci.

Ish-kryeministri Ilir Meta dhe pothuaj gjithë përkrahësit e tij nuk u zgjodhën nga Kongresi për anëtarë të KPD. Ndërsa zoti Ruci tha se nuk mund të paragjykonte qëndrimet e mëtejshme të tyre. “Kongresi e dha rezultatin e vet. Ai duhet të pranohet si nga fituesit ashtu edhe nga humbësit. Unë nuk kam se pse të paragjykoj asnjë veprim të kolegëve të familjes sime politike” - tha zoti Ruci.

Rezultatet e votimit nxorrën se ministrat dhe pasuesit e kryeministrit Nano morën numrin më të madh të votave të delegatëve, në një listë që kryesohej nga Ruci, Dokle, Pëllumbi, Agolli, dhe Meksi, ndësa zoti Meta mori 200 vota, duke mbetur nën kufirin minimal të anëtarësimit. //rd//

XS
SM
MD
LG