Lidhje

Gripi merr përmasa shqetësuese - 2003-12-16


Gripi që vazhdon të përhapet në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, po shkaton shqetësime mes zyrtarëve të shëndetësisë, të cilët thonë se sasia e vaksinave kundër gripit nuk është të mjaftueshme Në përgjigje të gjendjes së krijuar, qeveria ka arritur të blejë mbi 250 mijë doza vaksinash për personat më në rrezik, fëmijët dhe të moshuarit.

Agjencia amerikane për kontrollin e sëmundjeve thotë se gripi është përhapur në të 50 shtetet dhe në 25 prej tyre është përhapur në shkallë të gjërë duke rrezikuar edhe më shumë njerëz sesa ishte njoftuar më parë.

Organizata botërore e shëndetësisë njofton se edhe në Evropë, rastet e gripit janë shtuar dukshëm në shumë vende. Por ky lloj gripi ende nuk shikohet si serioz dhe nuk ka arritur shkallën e epidemisë. “Nuk ekzistojnë të dhëna shkencore për të dyshuar se gripi i sivjetëm është më i rëndë sesa ai me të cilin jemi ndeshur vitet e shkuara", thotë doktor Julie Gerberding e qëndrës për kontrollin e sëmundjeve.

Zyrtarët e kësaj qëndre thonë se rënia e gripit këtë vit në Shtetet e Bashkuara filloi më herët se zakonisht dhe aktualisht ndodhet në një nivel më të lartë , krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar.

Vaksinat kundër gripit në shumë institucione kanë mbaruar. Zyrtarët federalë kanë mundur të blejnë mbi 250 mijë doza të tjera vaksinash, por pohojnë se ato nuk mjaftojnë.

Në rrezik më të madh për t’u prekur nga gripi janë fëmijët dhe të moshuarit. Sipas statistikave, nga gripi në Shtetet e Bashkuara vdesin mesatarisht 36 mijë vetë. Deri tani mbi 10 fëmijë kanë vdekur si pasojë e gripit dhe disa ekspertë parashikojnë që numri i vdekjeve nga gripi i sivjetëm mund të jetë më i lartë sesa në vitet e kaluara.

Ndërkohë, zyrtarët të klinikës Mayo shpallën zhvillimin e një serie aparatesh me imazhe magnetike, MRI, të cilat lehtësojnë diagnostikimin e dëmtimeve dhe sëmundjeve që prekin kyçet e duarve, krahët, brylet, duart dhe gishtat.

Këto paisje tepër të sofistikuara përdoren për marrjen e fotografive të pjesëve të veçanta të trupit. Imazhet janë të cilësisë së lartë, 1, 5 dhe 3 tesla. Tesla tregon forcën e fushës magnetike që përdoret në MRI. Imazhe të tilla të cilësisë së lartë ndihmojnë mjekët që shohin më mirë struktura të tilla të imta si ligamentet dhe fijet nervore të duarve. Në këtë mënyrë, diagnozat përcaktohen më saktë dhe në disa raste eleminohet nevoja për procedora kirurgjike diagnostikimi siç është arthroskopia; një ekzaminim vizual i brendësisë së kyçit duke përdorur një instrument të posaçëm kirurgjik. Mjekët thonë se diagnostikimi i saktë është parakushti kryesor për trajtim të efektshëm mjekësor. Kjo është seria e parë e paisjeve për përcaktimin me saktësi të diagnozës nëpërmjet imazheve magnetike.

Paisjet janë fryt i një bashkëpunimi midis ekspertëve të Klinikës Mayo dhe inxhinjerëve të firmës IBM.

//rd//

XS
SM
MD
LG