Lidhje

Si do të gjykohet Sadam Huseini? - 2003-12-16


Pas kapjes së Sadam Huseinit ngrihet pyetja se si do të sillet ai para drejtësisë. Profesori i Universitetit Amerikan dhe analisti i Institutit Carnegie për Paqe Ndërkombëtare, Paul Williams, i ftuar në emisionin e Zërit të Amerikës Newsline, vë në dukje mungesën e organizmave ndërkombëtare të përshtatshme për gjykimin e ish-presidentit irakian dhe sfidat që do të paraqesë gjykimi i tij në Irak.

Do të duhen muaj të tërë derisa Sadam Huseini të sillet para drejtësisë. Në Irak shpjegon profesori Williams, egziston baza e duhur ligjore për gjykimin e Sadamit, por nuk ekzoston gjykata e duhur. Ngritja e saj do të kërkojë disa muaj dhe gjatë kësaj kohe ish-udhëheqësi irakian do të merret në pyetje si nga amerikanët ashtu edhe nga shërbimi irakian i sigurimit: Amerikanët do të përqëndrohen në pyetje për armët e shkatërrimit në masë. Irakianët duan të dinë ku janë varrosur të afërmit e tyre të vrarë nga Sadami. Parashikoj se Sadami nuk do të bashkëpunojë dhe marrja në pyetje do të përfundojë shpejt.

Profesori i Drejtësisë thekson se gjykimi i Sadam Huseinit në një gjykatë ndërkombëtare është i pamundur, pasi ekziston një Gjykatë për krimet në Ruandë, si dhe Gjykata për krimet në ish-Jugosllavi, por nuk ka një gjykatë ndërkombëtare për krimet në Irak dhe ngritja e saj do të kërkonte një kohë të gjatë.

E vetmja rrugë që mund të sjellë një drejtësi të shpejtë, të paanshme dhe të pandikuar nga politika është gjykimi i Sadam Huseinit në Irak, thotë profesori. Por kjo zgjidhje ka edhe anët e saj negative.

"Iraku vazhdon të zbatojë dënimin me vdekje dhe irakianët do ta kërkojnë këtë dënim për Sadam Huseinin. Por kjo është në kundërshtim me praktikat e fundit në të drejtën ndërkombëtare dhe gjykatat ndërkombëtare".

Profesori shpjegon se në arenën ndërkombëtare kjo alternativë mund të zgjojë reagime krejt të kundërta nga vende të ndryshme: "Besoj se britanikët do të mbështesin qëndrimin e aleatëve të tjerë në koalicion, por ka mundësi që gjermanët, francezët dhe disa vende të tjera evropiane do t’u bëjnë trysni amerikanëve dhe irakianëve të eliminojnë alternativën e dënimit me vdekje".

Profesori thotë se fillimisht ndaj Sadam Huseinit do të ngrihen një numër akuzash, jo vetëm për krime të kryera në Irak, por edhe për krime kundër iranianëve dhe kuvajtianëve. Por kjo larmi akuzash mund të kërkojë një kohë të gjatë për paraqitjen e provave. Prandaj, gradualisht akuzat do të konsolidohen dhe do të përqëndrohen në gjenocid dhe krime kundër popullit irakian.

Një tjetër aspekt interesant i sjelljes së Sadam Huseinit para drejtësisë, shpjegon profesor Williams, është zgjedhja e trupit gjykues. Është vështirë që në Irak të gjendet ndokush që nuk ka humbur njerëz të afërt nga regjimi i Sadam Huseinit, prandaj zgjedhja e trupit gjykues duhet të jetë një proces i hapur me një farë pjesëmarrjeje të publikut të gjerë. Por vetë procesi nuk pritet të ketë shumë të papritura, parashikon profesori: "Do të jetë një proces gjyqësor disi tradicional. Sadam Huseini do të ketë avokatin mbrojtës, që ka mundësi të jetë nga ndonjë vend tjetër arab, pasi do të jetë e vështirë për të të gjejë një avokat të aftë irakian që është i gatshëm t’i dalë në mbrojtje. Do të thirren dëshmitarë që do të paraqesin dëshmitë e tyre, dhe vetë Sadami do të ketë rastin të paraqesë argumentat e tij" tha zoti Williams. Por duke pasur parasysh provat e forta që ekzistojnë kundër Sadam Huseinit, profesori parashikon që procesi nuk do të zgjasë më shumë se 4-5 javë.

XS
SM
MD
LG