Lidhje

Me kapjen e Sadam Huseinit irakianët u çliruan shpirtërisht - 2003-12-17


Saddam Husseini u kap dhe populli i Irakut u çlirua jo vetëm konkretisht, por edhe shpirtërisht. Irakianët e çliruar nga hija e frikshme e diktatorit shtypës po festojnë. Dhe me të drejtë. Siç tha Yehya Hasson, një pronar dyqani në Bagdad tha “Tani mund të kemi një fillim të ri”.

Kapja e Saddam Husseinit më 13 dhjetor ishte rezultat i bashkërendimit të ngushtë mes veprimtarisë të zbulimit dhe veprimit ushtarak. Ajo pasqyron vendosmërinë e forcave amerikane, irakiane dhe të koalicionit në Irak. Falë tyre, irakianët i pret një e ardhme në liri dhe jo në terror.

Ish-diktatori irakian tani ka marrë fund. Përsa u takon luftëtarëve të mbetur baathistë, që janë kryesisht përgjegjës për dhunën e vazhdueshme, edhe ata do ta paguajnë. Nuk do të ketë më kthim tek pushteti i korruptuar dhe privilegjet që ata gëzonin. “Për shumicën dërrmuese të qytetarëve irakianë që duan të jetojnë të lirë, thotë presidenti Bush, kjo ngjarje sjell edhe më shumë garanci se dhomat e torturave dhe policia sekrete kanë marrë fund përgjithshmonë”. “Të gjithë irakianët që mbështesin lirinë, mbështesin fitoren...Në historinë e Irakut, një epokë e errët dhe e dhimbshme ka marrë fund. Në Irak ka ardhur një ditë shpresëdhënëse. Të gjithë irakianët mund të bashkohen tani dhe të hedhin poshtë dhunën e të ndërtojnë një Irak të ri”.

Por puna për rindërtimin e Irakut dhe kthimin e sovranitetit tek populli i Irakut vazhdon. “Dhe po ashtu edhe rreziqet vazhdojnë”, thotë Presidenti Bush: “Kapja e Saddam Husseinit nuk do të thotë se dhuna ka marrë fund në Irak. Ka ende terroristë që do të parapëlqenin të vrisnin të pafajshmit, në vend që të pranonin kthimin e lirisë në Lindjen e Mesme”, -thotë presidenti Bush.

Megjithatë, tani ka një tiran më pak. Siç u shpreh Adnan Pachachi, anëtar i Këshillit Qeverisës të Irakut “Ne do të merremi me Saddam Husseinin. Ai ishte një sundimtar i padrejtë, përgjegjës për vdekjen e mijëra njerëzve”.

Saddam Hussein po nxirret para drejtësisë, diçka që ai ia kishte mohuar popullit irakian.

//rd//

XS
SM
MD
LG