Lidhje

Brzezinski: Shtetet Bashkuara duhet të kalojnë shpejt pushtetin tek irakianët - 2003-12-17


Ish-Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Zbigniew Brzezinski, thotë se tani që Saddam Husseini u kap, Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë me shpejtësi për kalimin e pushtetit tek vendasit në Irak.

Zoti Brzezinski që ka shërbyer në administratën e ish-presidentit Carter, tha në një intervistë për shërbimin kinez të Zërit të Amerikës se tani ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të ndajnë përgjegjësinë për rindërtimin e Irakut me aleatët e tyre. Doktor Brzezinski, që tani është këshilltar pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare tha se pas kapjes së ish-udhëheqësit irakian, Saddam Hussein, është shumë e mundshme që qëndresa në Irak të bjerë. Por ai paralajmëroi se tani duhet bërë sa më shpejt transferimi i pushtetit. “Kalimi i pushtetit tek irakianët tani duhet të përshpejtohet, sepse nëse kjo nuk ndodh, atëherë ekziston rreziku që nacionalizmi irakian të përdoret kundër Shteteve të Bashkuara dhe megjithëse Sadam Huseini është kapur, qëndresa mund të vijë nga arsye të tjera, si krenaria nacionaliste, pakënaqësia, dëshira nacionaliste për një fund më të shpejtë të pranisë amerikane”, tha ai.

Doktor Brzezinski theksoi nevojën për bashkëpunim mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, disa prej të cilëve e kundërshtuan luftën në Irak. Ai tha se tani nuk duhet menduar më nëse ishte e drejtë apo jo që të ndërhyhej në Irak. “Mendoj se tani është koha për të ecur përpara dhe jo të debatohet mbi luftën, por të bëhen përpjekje për të gjetur mënyra sesi komuniteti ndërkombëtar të marrë mbi vete më shumë përgjegjësi, për transformimin dhe rindërtimin e Irakut dhe kjo do të thotë ndarje e kompetencave nga ana e Amerikës me aleatët e saj dhe me Kombet e Bashkuara”, tha zoti Brzezinski.

Ish-zyrtari i lartë mendon se lufta në Irak e hoqi çdo dyshim për epërsinë e ushtrisë amerikane, por shton se sfida tanë është që Shtetet e Bashkuara të jenë në rolin e udhëheqësit politik në botë.

Zoti Brzezinski e dha intervistën për shërbimin kinez të Zërit të Amerikës, me rastin e 25 vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Këto marrëdhënie u lidhën nga administrata e Presidentit Carter.

Duke folur për ndryshimin e natyrës së këtyre marrëdhënieve, gjatë 25 vjetëve, zoti Brzezinski tha se nëse në fillim ato kishin si qëllim mbrojtjen, tani kanë interesat e përbashkëta. “Në të kaluarën interesi ishte negativ, për të ndalur hegjemoninë sovjetike. Sot kemi interesa të përbashkëta, për të krijuar një sistem botëror me më shumë bashkëpunim. Kina po hyn në Organizatën Botërore të Tregëtisë. Po ashtu ne kemi interes të përbashkët për të garantuar paqen rajonale”, tha ai.

Doktor Brzezinski tha se një nga çështjet ku Shtetet e Bashkuara dhe Kina po punojnë së bashku është të parandalohet rreziku që mund të shkaktojë Koreja e Veriut me armët e saj të shkatërrimit në masë.

Ai vlerësoi partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës dhe tha se shpreson që ky partneritet të sjellë edhe ndryshimet demokratike në Kinë.

Përsa i takon çështjes së Taivanit, zoti Brzezinski nuk pranoi të bëjë parashikime për të ardhmen, por shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk do ta përkrahnin ndryshimin e njëanshëm të statu-kuosë mes Kinës dhe Taivanit.//kk//

XS
SM
MD
LG